Është analizuar sot gjesti i Kristiano Ronaldos dje në Camp Nou, gjatë ndeshjes së Superkupës kundër Barcelonës. Ylli portugez u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 82-të, ndërsa më pas shtyu nga pas arbitrin Bengoeçea.
Gjykatësi sportiv ka dënuar me 5 ndeshje Ronaldon, duke i dhënë një dënim minimal, sepse në raste të tilla parashikohen 4-11 ndeshje pezullim, por e shtyra e Ronaldos nuk ishte e dhunshme. Kjo do të thotë se Ronaldo ka marrë 4 ndeshje dënim shtesë, përveç mungesës për një ndeshje si pasojë e kartonit të kuq
Ndërkaq, Reali është gjobitur me 350 euro dhe Ronaldo me 800 euro për kartonin e kuq. Gjithashtu, Kristianos i janë dhënë 4 ndeshje pezullim dhe një gjobë prej 3,005 eurosh për sjelljen ndaj arbitrit, ashtu si është gjobitur edhe Reali me 1,400 euro.
Në këtë mënyrë, Ronaldo do të mungojë në ndeshjen e kthimit për Superkupën dhe më pas nuk do të zbresë në fushë në ndeshjen e kampionatit kundër Deportivos, Valencias, Levantes e Real Sociedadit. Reali ka 10 ditë kohë për të paraqitur apelim urgjent.