Pas provës te Kukësi, Abibi tenton Vllazninë

0

Duhet të ishte një nga alternativat si pasues i Enea Koliçit, kur ky i fundit kërkonte të largohej, por Kukësi gjeti marrëveshjen dhe rinovoi me portierin kampion, ndaj Alesio Abibi është larguar nga Kukësi, pas disa ditësh provë, ku në fakt nuk u paraqit keq, sepse trajneri Milinkoviç e pëlqeu.

20-vjeçari italo-shqiptar tani shkon në Shkodër, ku do të provohet dhe shpreson të bindë Cungun, i cili kërkon të shtojë konkurrencën në portë, pas largimit të Jasmin Agoviçit.

Abibi ka luajtur për disa vite në Itali, derisa në janar të këtij viti shkoi tek Eldense në Spanjë. Eldense u bë e famshme në mënyrën e gabuar, sepse pas një disfate 12-0 ndaj Barcelonës B u vendos nën akuzë për trukime dhe disa lojtarë, ashtu si investitorët nga Italia, përfunduan në pranga.

Alesio Abibi nuk kishte luajtur asnjë minutë deri atëherë, por pas disfatës në Barcelonë portieri italian Alesandro Zanier nuk ishte më pjesë e skuadrës, duke bërë që Abibi të luante nga minuta e parë në 6 ndeshjet e fundit të kampionatit. Kohët e fundit Abibi ishte stërvitur me Elda Industrial CF në divizionin e pestë spanjoll, ku i ofruan kontratë, por tashmë Abibi shpreson të gjejë vend në Superiore.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.