Nejmar kushtoi 222 milionë euro dhe shifrën e pagoi vetë PSG, deklaroi pronari Al-Kelaifi dje: “Jemi në rregull me financat, UEFA le të vijë të kontrollojë. Kemi një ushtri avokatësh e financierësh, që merren me respektimin e Fair-Play financiar, ndaj mos u shqetësoni”.
Nga buron optimizmi i Al-Kelaifit? Së pari, milionat e shpenzuar për Nejmar nuk është detyrim të kompensohen brenda gushtit, sepse PSG ka disa vite kohë të balancojë bilancin, çka e lejon, për shembull, të shesë vetëm një nga yjet e vet këtë verë, një verën tjetër e një pas dy vitesh.
Nuk mjafton? Atëherë edhe vetë Nejmar do të “paguajë”. Jo direkt nga xhepi, as që bëhet fjalë, por nga fanellat e shitura. Të premten në Paris u shitën rreth 10.000 fanella në dy dyqanet zyrtare të klubit, me çmime mbi 100 euro një fanellë. Llogariteni vetë: 1 milion euro që në ditën e parë dhe Nike ka tashmë urgjencë, duhen prodhuar sa më shpejt fanella, sepse brenda gushtit mund të shiten disa qindra mijëra fanella.
Jo më kot, Al-Kelaifi tha dje duke buzëqeshur: “Kujtoni se shpenzuam shumë? Deri dje PSG vlente 1 miliard euro, me Nejmar vlen 1,5 miliardë”.
Paraja shkon te paraja, dihet. Champions League? Të shohim…