Kievo ka gjetur marrëveshjen me anglezët e Lids Junajtid dhe sulmuesi do të nënshkruajë për 4 vite, duke u zyrtarizuar më 1 korrik, sapo të hapet merkatoja e verës. 800 mijë euro do të përfitojë ganezi i Kievos…
Kaleb Ekuban, ky ishte sulmuesi që fitoi zemrat e tifozëve të kuq sezonin që kaloi, por pavarësisht shpresave të tyre për ta parë edhe një sezon me fanellën e Partizanit, ato janë shuar. Siç dihet, atij i kishte mbetur vetëm një vit kontratë me Kievon dhe skuadra italiane po ta huazonte sërish praktikisht e falte atë, ndaj duhej shitur. Partizani shpresonte që Ekuban do rinovonte me Kievon, gjë që nuk ndodhi. Tashmë ai do të nisë një aventurë të re, pasi skuadra italiane ka gjetur akordin për ta shitur sulmuesin te Lids Junajtid. Përflitej prej kohësh për një ofertë të skuadrës angleze që militon në Championship dhe tashmë është bërë gjithçka realitet.
DETAJET E MARRËVESHJES
Gazeta mëson se Kievo nga shitja e sulmuesit ka përfituar plot 500 mijë euro dhe për këtë duhet t’i thotë faleminderit edhe Partizanit, pasi Ekuban shpërtheu aty duke shënuar 17 gola, asnjë prej tyre me penallti. Edhe vetë lojtari do të përfitojë disa herë më shumë se sa përfitonte në Shqipëri. 800 mijë euro do të përfitojë sulmuesi, që me Lids Junajtid do nënshkruajë një kontratë 4-vjeçare. Për Ekuban ky është një hap i madh, ndërkohë që edhe për Kategorinë Superiore është një reklamë shumë e mirë dhe ajo tashmë na bëhet në Angli. Gjithashtu, edhe për klubet italiane Superiorja mund të kthehet një pistë e mirë për të huazuar futbollistët e tyre, pasi aktivizimi në kupat e Europës u jep mundësinë të ekspozohen dhe t’u shkojnë oferta të rëndësishme që s’ua krijojnë ekipet e Lega Pro. Lidsi është një ndër klubet më të famshëm dhe me më shumë tifozë në Angli, edhe pse ka vite që e ka harruar Premier Ligën.
Sulmuesi refuzoi Premier Ligën ruse
Ekuban kishte edhe oferta të tjera në javët e fundit dhe më joshësja erdhi nga Amkari i Permit. Klubi i Premier Ligës ruse i ka ofruar një shifër të jashtëzakonshme: 900 mijë euro për 3 vjet! Sezonin e parë 200 mijë, të dytin 300 dhe të katërtin 400! Ka qenë vetë Ekubani ai që ka refuzuar prerë. Dëshira e sulmuesit është Lidsi, jo thjesht në aspektin financiar, pasi italo-ganezi ka preferuar futbollin dhe jetën angleze.