Vladimir Prenga
Teuta priti gjatë, por tani ka nisur rindërtimin dhe emri i parë i zyrtarizuar është Ante Hrkaç, një qendërmbrojtës kroat, në pronësi të Lokomotivës së Zagrebit, por këtë sezon luajti i huazuar në Bosnje-Hercegovinë te Çeliku. 25-vjeçari ishte titullar pjesën e pare të sezonit, ndërkohë që ka luajtur vetëm 2 ndeshje në vitin 2017 për shkak të një dëmtimi.
Kroati ka qenë shok skuadre me qendërmbrojtësin boshnjak Bojan Markoviç te Çeliku në Bosnje-Hercegovinë, por nuk do të luajnë së bashku te skuadra e Teutës. Pavarësisht se më parë është raportuar se mes 31-vjeçarit boshjak dhe durrsakëve rinovimi është shumë pranë, kjo tanimë ka pak gjasa të ndodhë. Stafi teknik e sheh Hrkaç si zëvendësuesin e Markoviç dhe arsyet e kësaj zgjedhje janë disa, duke nisur nga mosha e re e futbollistit kroat, si dhe fakti që mund të luajë në mbrojtje dhe në mesfushë. Me ardhjen e tij qendra e prapavijës duket më e plotë, pasi në skuadër janë edhe tre lojtarë të tjerë, si shkodrani Sykaj dhe të rinjtë Silvester Shkalla e i rikthyeri Dajan Shehi.
KASTRATI – Elhan Kastrati do të jetë “gardiani” i Teutës për sezonin e ardhshëm. Klubi bregdetar ka bërë me dije se 20-vjeçarit do t’i besohet porta së paku dhe për një sezon. Me paraqitjet e bëra gjatë sezonit të shkuar, ku u aktivizua ne 13 ndeshje si titullar, duket se ka fituar besimin e trajnerit Gugash Magani. Edhe pse si futbollist është formuar tek skuadra e Teutës, Kastrati është në pronësi të Peskarës, e cila kërkon që portieri i tyre të ketë mundësi aktivizimi, që në një të ardhme jo shumë të largët të jetë i vlefshëm dhe për skuadrën italiane, e cila këtë vit do të militojë në Seria B.