Nisin lëvizjet te Vllaznia, java e re e gjen në fushë

0

Drejtuesit e klubit kanë takuar dje futbollistët shkodranë dhe janë konsultuar me ta, duke mirëpritur çdo sugjerim për ekipin e ri apo pretendime të tjera

Gaspër Marku

Ndryshe nga ditët e mëparshme, kur në kampin kuqeblu nuk kishte asnjë lëvizje, e enjtja ka sjellë sinjale pozitive për futbolldashësit shkodranë. Godinës së baskisë së qytetit, ku janë edhe zyrat e drejtuesve të klubit “Vllaznia”, janë parë t’i drejtohen dje të gjithë futbollistët kuqeblu, të cilët mbyllën sezonin e fundit. Për të qenë më të saktë, duhet thënë se këtu bëhet fjalë për pjesën e futbollistëve shkodranë, sepse kontigjenti tjetër, ai i “jabanxhinjve”, ka kohë që është larguar nga Shkodra dhe për të ka pak të ngjarë të jetë sërish pjesë e Vllaznisë. Në bazë të një liste, që kishin hartuar drejtuesit, në zyrat e klubit janë paraqitur me radhë që nga kapiteni Ndriçim Shtubina e deri te futbollisti më i ri, i cili figuron të jetë pjesë e Vllaznisë. Nga sa mësohet, në takim kanë qenë dy drejtuesit kryesorë të klubit kuqeblu, administratori Astrit Gjyrezi dhe drejtori sportiv Eugent Zeka, por me së shumti me sportistët është marrë ky i fundit. Sipas drejtuesve të klubit shkodran, qëllimi i këtij takimi me futbollistët ka qenë verifikimi i parametrave që ata kanë në raport me klubin kuqeblu, afatet e kontratave, ata që i kanë në limit, diskutimi për vijueshmërinë e bashkëpunimit, kërkesat që kanë ndaj klubit dhe kushtet e bashkëpunimit apo edhe njohja me ofertat, që ndonjëri prej tyre ka për të kaluar në skuadra të tjera të kampionateve të huaja apo edhe brenda vendit.

KONSULTA – Një tjetër gjë, që mësohet se drejtuesit kanë diskutuar me futbollistët, ka të bëjë me marrjen e një mendimi nga ata në lidhje me formimin e Vllaznisë së re, duke mirëpritur sugjerimet dhe propozimet e tyre. E thënë në mënyrë të përmbledhur, takimi i djeshëm ishte një tip nxemje për strukturat e klubit shkodran, jo vetëm për t’i thënë opinionit se Vllaznia po punon, por edhe me detyra konkrete, për të testuar se sa futbollistë kuqeblu janë të gatshëm për të startuar javën e ardhshme përgatitjet me ekipin.

JAVA E ARDHSHME – Ndërkohë, për atë pjesë të futbollistëve, të cilëve u përfundon kontrata apo kanë pretendime, çdo kërkesë apo sugjerim që ata e kanë regjistruar dje në takim, do t’i përcillet strukturave përkatëse, bordit mbikëqyrës dhe presidencës kuqeblu, për të parë mundësinë e bashkëpunimit apo jo në të ardhmen. Ka disa çështje, që do të diskutohen me kalimin e kohës, por e rëndësishme është që te Vllaznia ka tashmë lëvizje konkrete në drejtim të organizimit për sezonin e ri. Javën e ardhshme pritet që skuadra të zbresë në fushë dhe me nisjen e përgatitjeve do të ketë të reja në lidhje me kontigjentin e kuqebluve për sezonin e ri. Gjithsesi, nuk është e vështirë të kuptohet se pak afrime nga qytetet e tjera apo nga jashtë kufijve do të ketë në Shkodër.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.