Kukësi vazhdon të bëjë goditje të fuqishme në merkaton verore dhe pasi zyrtarizoi mbrojtësit Serran e Rustem Hoxha dhe mesfushorin Zeqiri, sot e ka pasur radhën të prezantohet afrimi i fundit, mbrojtësi Bujar Idrizi, i prezantuar nga menaxheri i klubit verilindor, Naim Halili, i cili ka punuar prej ditësh për këtë tratiativë.
Në Shqipëri mbrojtësi i djathtë nuk njihet shumë, sepse nuk ka luajtur më parë në kampionatin tonë, por në Kosovë ka luajtur me Hysin, dy klubet e Trepçes dhe sezonin e fundit shkëlqeu me klubin e vendlindjes, Llapin e Podujevës.
Për faqen zyrtare të Kukësit, futbollisti deklaron: “Jam shumë i lumtur që kam arritur marrëveshjen me ekipin e Kukësit. Afrimi im me kampionët e Shqipërisë është një hap i madh përpara për mua. E di se ka konkurrencë, por do mundohem të bëj më të mirën për klubin. Besoj se edhe në Champions League do të ecim dhe do të kalojmë ekipin e Sherif Tiraspolit. Një përshëndetje edhe për tifozët kuksianë”.
Në krahun e djathtë të mbrojtjes Kukësi ka Rraman Hallaçin si tiullar fiks, por kapiteni është drejt fundit të karrierës dhe trajneri Ernest Gjoka kërkon që ta kursejë në aspektin fizik, për të luajtur vetëm një pjesë të rëndësishme të ndeshjeve sezonin e ardhshëm, ndërsa ambientohet Idrizi.
BUJAR IDRIZI
Mosha: 25 vjeç
Datëlindja: 11.12.1991
Karriera
2008 -2014 – Hysi
2014-2015 – Trepça
2015-2016 – Trepça 89
2016-2017 – Llapi