Rafael Soza nuk e harron Shqipërinë: Mund të kthehem

0

Mesfushori argjentinas Rafael Soza, i cili në Shqipëri është shpallur kampion me Dinamon dhe Skënderbeun, por ka luajtur edhe për Flamurtarin e Laçin (ka fituar kupën para dy vitesh), mund të kthehet në Superiore.

Në vitin 2011 Soza firmosi me Sherif Tiraspolin në Moldavi, ndërsa vitet e fundit ka luajtur në Argjentinë, për të qëndruar sa më pranë familjes.

Tani duket se anësori i shpejtë e teknik ka dëshirë të kthehet në Superiore dhe për “Sport Ekspres” zbulon se për të kanë pasur interesim disa klube.

Përshëndetje Rafael, a ke pasur ndonjë kontakt së fundi në Shqipëri, pasi ka zëra se ka klube që po interesohen për shërbimet e tua?

Po, vazhdoj të kem kontakte, kam shumë miq në Shqipëri. Do më pëlqente të kthehesha. Ka pasur edhe interesim, disa klube kanë shfaqur pëlqim, por nuk më kanë bërë ende një ofertë konkrete.

A mund të dimë ndonjë emër konkret?

Siç e thashë, nuk kam marrë ende një ofertë, ndaj nuk është etike të përmend emra klubesh. Me këtë çështje merret një menaxher shqiptar i autorizuar nga unë dhe nëse ka gjë korrekte, ai do të më njoftojë. Di vetëm që ka pasur sinjale, por është ende herët, disa klube ende nuk kanë filluar të organizohen për sezonin e ri, me sa di unë. Pastaj, merkatoja mbyllet në fund të verës, ndaj ka kohë, aq më shumë që unë jam në aktivitet dhe jam gati në çdo moment, nuk kam nevojë për ndonjë përgatitje të veçantë fizike.

Vetëm Shqipëria, apo ka edhe interesim nga vende të tjera?

Në fakt, kam dy oferta reale, njëra nga Argjentina dhe tjetra nga Lega Pro në Itali. Në Argjentinë luaj prej vitesh, nuk dua të largohem shumë nga krahina ku jetoj, ndërsa për në Itali nuk e di ende, dua të pres, aq më shumë që është divizioni i tretë. Në rast se do të më vijë ofertë nga ndonjë klub shqiptar, ai do të jetë i preferuari im.

Thatë që keni shumë të njohur në Shqipëri, nuk qenkeni shkëputur plotësisht këto vite?

E vërtetë, ia kam kaluar mirë dhe kam kujtime shumë të mira e plot të njohur aty, në disa qytete. E njoh Shqipërinë, nuk kam probleme ambientimi aty dhe shumë njerëz më duan e më bëjnë ende komplimente, duke më kërkuar nëse do të rikthehet. Unë do isha i gatshëm, nëse vjen oferta e duhur.

-Keni fituar kudo, përveçse te Flamurtari. Çfarë kujtimesh keni nga klubet ku keni luajtur në Shqipëri?

Ia kam kaluar kudo shumë mirë, nuk kam ndonjë kujtim të keq. Sidomos te Dinamo e Skënderbeu ka qenë një periudhë e shkëlqyer, në çdo drejtim, sepse fitonim trofe dhe luaja rregullisht, duke qenë lojtar i rëndësishëm. Edhe te Laçi fitova kupën, ndonëse luajta për pak muaj. Në Vlorë ka fituar miq të mirë, edhe pse kalova një situatë paksa stresuese, për faktin se pritshmëritë e presioni ishin në maksimum. Fillimisht nuk isha i qetë, por në mesin e sezonit erdhi trajneri Ernest Gjoka në drejtim, më dha besim dhe ia shpërbleva edhe me gol.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.