Vejle zyrtarizon Sormanin, italiani e kërkoi Ramadanin

Adolfo Sormani është zyrtarisht trajneri i ri i Vejles, në Danimarkë. Klubi danez duket se ka ambicie të mëdha për sezonin e ardhshëm, sepse po bën revolucion këtë verë, duke nisur nga stoli, ku afrohet italiani i njohur. Sormani ka një karrierë të pasur si futbollist e diçka më pak si trajner, ndërsa sezonin e fundit e nisi te Partizani, por zgjati shumë pak aty, duke u larguar për shkak të fillimit të dobët të kampionatit dhe mbi të gjitha problemeve me tifozët, që ishin të pakënaqur jo thjesht me rezultatet, por sidomos me lojën e Partizanit.

Sormani e ka mbyllur prej kohësh marrëveshjen me Vejlen dhe këtë e zbulon vetë: “Kam parë shumë ndeshje të divizionit të dytë danez këtë pranverë, kam ndjekur nga afër Vejlen dhe ekipin B të saj, ndaj jam i bindur që Vejle ka një potencial të madh, që duhet shfrytëzuar në maksimum. Lojtarët që stërviten me mua e kuptojnë shpejt si do luajmë dhe çfarë detyrash kanë. Kjo krijon një ndjenjë sigurie për të gjithë dhe është e rëndësishme kur ke një skuadër me lojtarë me kombësi të ndryshme. Futbolli nuk është vetëm 90 minutat e ndeshjes, është mënyra si jeton, si e përgatit ndeshjen, duhet profesionalizëm total, ai t’i fiton ndeshjet. Shumë lojtarë të rinj do të bashkohen me ekipin e parë, sepse do të kem një vëmendje të veçantë për talentet”.

Te Vejle Sormani ka marrë me vete zëvendësin Xhovani Macela dhe përgatitësin atletik Mario Rotondale, por gjithashtu ka kërkuar me ngulm Ylber Ramadanin nga Partizani, çka shpjegon këtë transferim që fillimisht u duk i çuditshëm. Vejle ka plane ambicioze dhe kërkon me ngulm të kthehet në Superligën daneze, ndaj ka vendosur të investojë fuqishëm këtë verë dhe kjo ka bindur edhe Ramadanin, i cili ka biseduar me Sormanin para se të bindej për transferimin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *