40 minuta analizë, Ze Maria kritika ekipit

0

Olsi Avdiaj

Kritika dhe vetëm kritika nga trajneri Ze Maria. Trajneri brazilian nuk mbetet kurrë i kënaqur. Edhe pas fitores që skuadra e tij arriti me Ilirinë, sërish ai ka mbajtur ekipin për një kohë të gjatë në dhomat e zhveshjes. Si e hënë që ishte, trajneri zhvilloi analizën e pasndeshjes, meqë të dielën ishte pushim për ekipin. Dhe takimi i djeshëm nuk ka qenë dosido. 40 minuta analizë ka zhvilluar Ze Maria në dhomat e zhveshjes së “Skënder Halilit”, aq sa stërvitja ka nisur në orën 16:30 edhe pse ishte paralajmëruar që përgatitjet nisin në orën 16:00, duke bërë për ujë të ftohtë skuadrën.

Kritikat – Kritikat edhe këtë pasndeshje kanë qenë të mëdha për ekipin. Trajneri dhe stafi kanë mbetur jo të kënaqur nga loja e skuadrës dhe individët në veçanti. Mësohet se Ze Maria është shprehur se nuk do të tolerojë më një gjendje të atillë, siç u pa në “Selman Stërmasi” ditën e shtunë. Loja sipas tij ka qenë përtokë, por kjo nuk duhet të ndodhë më, pasi rrezikohet rezultati sidomos në ndeshjet në transfertë.

Krahët nuk funksionuan – Një pjesë të kritikave të tij Ze Maria ia ka adresuar lojtarëve të krahëve. Sipas tij, këta futbollistë nuk e kanë bërë mirë punën e tyre. Ata duhet të jepnin sa më shumë topa në qendër për sulmuesit që këta të fundit të kishin sa më shumë raste për gol. Sipas Ze Marias lojtarët duhet të jenë më ofensivë dhe të jenë pjesë e manovrës sulmuese. Kritika ka pasur edhe për qarkullimin e topit, që në këtë ndeshje çaloi. Po kështu gjendja e skuadrës nuk është nga më të mirat përsa i përket anës fizike.

Kritikat pas Besës – Ze Maria e tha hapur pas ndeshjes me Besën se loja nuk i ka pëlqyer, ndërkohë që këtë gjë ua ka bërë të ditur edhe futbollistëve të tij na analizën e zhvilluar të enjten e kaluar. Pas ndeshjes me Besën braziliani tha mes të tjerash: “Kemi luajtur si në një ndeshje miqësore. Fituam e ky është një hap që vlen. Por nuk jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës. Tirana e vërtetë që unë dua ishte ajo e finales së Superkupës”. Me kavajasit Tirana fitoi me rezultatin 1-2 dhe autor i të dy golave ishte kapiteni Karabeci, që golin e barazimit e realizoi me penallti. Praktikisht Ze Maria nuk mbetet asnjëherë i kënaqur, edhe pse skuadra e tij e ka nisur mbarë në të tri frontet.

 

3 fitore ka arritur Tirana në sezonin zyrtar nga 9 shtatori deri më sot

 

15:00 është orari kur do të luhet ndeshja mes Pogradecit dhe Tiranës. Takimi është caktuar të zhvillohet ditën e diel

 

Karabeci tre ditë pushim

Erando Karabeci ishte i vetmi nga futbollistët e Tiranës, i cili nuk zhvilloi dje stërvitje me skuadrën. Shkaku është i thjeshtë. Futbollisti ka bajamet e zmadhuara dhe do të qëndrojë disa ditë pushim. Sipas asaj që është mësuar, futbollisti ka nisur kurën me antibiotikë dhe në këto kushte ai s’mund të stërvitet. Atij i duhet të qëndrojë edhe dy ditë të tjera pushim, për t’u kthyer me të gjitha gjasat në stërvitje të mërkurën. Karabeci është nga të vetmit lojtarë që këtë sezon që sapo ka startuar ka luajtur të tria ndeshjet. Madje për momentin Karabeci me dy golat në Kupë është golashënuesi i bardhebluve. Erando si kapiten i ekipit është një nga lojtarët më të mirë të skuadrës. Edhe pse pati oferta nga çdo skuadër e Superiores, futbollisti vendosi që të qëndrojë te Tirana ku ka nëntë vite që vesh këtë fanellë.

 

Trajneri u nxjerr shkumën lojtarëve

Ka qenë një e hënë “e egër” stërvitore për Tiranën. Pas fitores jo bindëse të ditës së shtunë, trajneri Ze Maria për gati dy orë është stërvitur në “Skënder Halili”. Dhe stërvitja e djeshme ka qenë nga ato që të “bie në kokë”. Për rreth 40 minuta, lojtarët kanë zhvilluar stërvitje të rëndë me vrapime të forta. Grupit nuk i kanë rezistuar Greca që ka mbetur pak mbrapa dhe portieri Abibi. Pjesa tjetër e skuadrës është munduar të bëjë maksimumin në stërvitje, sepse në të kundërt e sheh veten jashtë 11-shes. Ze Maria nuk ka kursyer askënd. Madje as veten dhe të birin që e ftonte të stërvitej me ekipin e parë, ndonëse djali i vogël i tij nuk ia ka dalë dot të jetë me ritmin e më të mëdhenjve. Më pas trajneri ka vendosur që të ndajë ekipin në disa grupe për të punuar në kuadrat. Në fund si zakonisht luhet edhe ndeshja brenda grupit, por për të folur për formacionin është shumë shpejt, sepse e djeshmja ishte vetëm stërvitja e parë e javës.

 

Mauexhe që tani lider në mesin e fushës

 

Tirana gjen zëvendësuesin e Ruben Akuasë. Problem mbetet goli i sulmuesit

 

Toni Mauexhe po konfirmohet dita-ditës te Tirana si i huaji më i mirë i ardhur këtë verë. Futbollisti nga Uganda ka zëvendësuar plotësisht Ruben Akuanë. Me paraqitjen e tij, mesfushori ka treguar vlera në fushën e lojës, duke qenë titullar në tri ndeshjet zyrtare. Po kështu ugandezi është autori i golit të vetëm në takimin me Ilirinë. Shkurt, mesfushori është ngjitur në katedër dhe drejton mesfushën e Tiranës së bashku me Dajën e Karabecin. Është lider para mbrojtjes, madje lojtar më cilësor se Akuaja, sidomos në manovrën sulmuese.

Problemi te Tirana mbeten sulmuesit. Në tre ndeshje zyrtare, por edhe ato miqësore sulmuesit akoma nuk kanë shënuar gola që mund t’u vlejnë skuadrës. Ngo, Halili, Sentamu, Levendi ende nuk kanë tundur rrjetat e skuadrave kundërshtare, por kjo shpresohet të ndodhë në ndeshjet në vazhdim të kampionatit dhe Kupës

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.