Jurgen Zela
Sindrit Guri u afrua në verën e vitit 2016 te Kukësi, me synimin që të ishte një alternativë për Pero Pejiçin dhe Izair Eminin. Muskujt e tij nuk arritën ta mundnin eksperiencën e viteve që kishin mbi shpinë dy goleadorët e Kukësit, megjithatë në çdo moment që i jepej mundësia, bënte maksimumin. Nëse në kampionat nuk pati shumë minuta në dispozicion, shkodranit iu dha mundësia në Kupat e Europës. Ndonëse jo në pozicionin e tij natyral, Guri u adaptua në rolin e një mesfushori krahu mjaft mirë, duke i surprizuar të gjithë. Përshtatja në ketë pozicion nxori më së miri në pah aftësitë e 23-vjeçarit, i cili në të dy takimet bëri mjaft mirë dhe me inkursionet e tij vuri shpesh në vështirësi kundërshtarin, madje një nga lojtarët më të fortë të Sherifit, si braziliani Kristiano. Performanca e tij e mirë nuk kishte si të mos hynte në konsideratë të klubit moldav, që e veçoi Gurin dhe për shkak të moshës së tij premtuese.
OFERTA – Siç “Sport Ekspres” ka raportuar prej ditësh, trajneri i Sherifit të Tiraspolit, Roberto Bordin, u ka kërkuar drejtuesve të skuadrës të interesoheshin veçanërisht për sulmuesin, i cili “ja vështirësoi jetën” mbrojtësit të tyre. Menjëherë klubi ka kontaktuar lojtarin, duke u interesuar për kontratën dhe periudhën kur i përfundon ajo. Shkodrani kishte firmosur një kontratë 1+1, që ishte rinovuar automatikisht, duke e bërë të pamundur largimin nga Kukësi. Në këtë pikë, 23-vjeçari bisedoi me presidentin Gjici, por nuk gjeti mundësinë të largohej si lojtar i lirë. Sapo Sherifi ka mësuar diçka të tillë, ka përgatitur dhe ofertën zyrtare për klubin e Kukësit, që arrin shifrën 100 mijë euro. Fakti se Guri është angazhuar në kampionat vetëm në pesë takime si titullar dhe në 25 të tjera si zëvendësues, kushtëzojnë depozitimin e një shifre më të konsiderueshme. Kukësi nuk e ka pranuar në momentin e parë këtë ofertë, duke kërkuar fillimisht 300 mijë euro, por tashmë mësohet se pretendimet janë ulur, duke kërkuar 200 mijë euro. Duket e vështirë që kundërshtari që i eliminoi nga Kupat e Europës të rrisë ofertën e tij. Në këtë pikë Kukësi ka një mundësi të artë të rrisë buxhetin e klubit, por mbi të gjitha, të futet në tregun e shit-blerjeve, që e ka harruar prej vitesh. Tre sezone më parë Kukësi shiste për të njëjtën shifër Sokol Cikallehsin te RNK e Splitit dhe që asokohe nuk ka arritur që të fitojë të ardhura nga shitja e lojtarëve. Duket një mundësi fantastike, që i hap udhë për të tjera transferime, pasi do të ishte një hap shumë i madh për t’u bërë një klub europian. Mbetet për t’u parë nëse presidenti Gjici do ta marrë në konsideratë këtë mundësi ideale për t’u rikthyer në treg dhe për të mbushur arkën.
Skeda
Emri: Sindrit
Mbiemri: Guri
Mosha: 23 vjeç
Vendlindja: Shkodër
Pozicioni: Sulmues
Sezoni Klubi Ndeshje Titullar Gola
2016/2017 Kukësi 25 5 2
2015/2016 Korabi 27 27 20
2014/2015 Vllaznia 7 4 0
2014/2015 Kastrioti 11 10 0
2013/2014 Besa 27 17 1
2011/2013 Vllaznia 13 3 1