Flamurtari i Duros, një sfidë për titullin

0

Elton Nika

Flamurtari i trajnerit Shpëtim Duro ka nisur në “epokë” të re. Jo sepse Shpëtim Duro është emëruar tani në krye të skuadrës kuqezi. Por sepse ky sezon do të jetë sfidë më vete për trajnerin e njohur. Një kampionat, që do të tregojë nga fillimi në fund dorën e tij. Trajneri, i cili e mori skuadrën vlonjate në mes të sezonit që shkoi, pas Maganit dhe Mezanit, ka kryer një revolucion total në grup. Duke filluar nga porta e në vazhdim. Dorës së trajnerit i kanë shpëtuar vetëm katër lojtarë titullarë nga sezoni i shkuar. Dy mbrojtës dhe dy sulmues. Pjesa tjetër, të gjithë janë larguar. Ikje për të mirën e skuadrës, pasi trajneri Shpëtim Duro gjithmonë ka thënë se te Flamurtari ka lojtarë të mbipaguar dhe që nuk japin në fushë.

NDRYSHIMI POZITIV – Dhe pasi u mbyll sezoni, gjithçka u kthye në favor të trajnerit, që vuri në jetë idetë e tij, pasi i “bloi” gjatë muajve në Vlorë. Ai ka ndërtuar një ekip nga e para. Një skuadër, që me emra duhet të shpallet kampione, pasi vetëm dyshja e sulmit Alvesh-Bushiç premton shumë. Për të mos folur për lojtarë të tjerë, që kanë ardhur këtë verë. Kjo skuadër është një sfidë më vete për Shpëtim Duron dhe administratorin Sinan Idrizi, që këtë vit duhet të marrin frytet e investimit. Lojtarët e mbetur dhe të larguarit janë shlyer financiarisht nga klubi deri në 1 korrik 2017. Hera e parë, që klubi nuk ka lekë borxh në skuadrën aktuale. Të ardhurit janë tre herë më shumë se ata që qëndruan. Po nga ana tjetër, kuqezinjtë janë ekipi i vetëm, i cili ka nisur fazën përgatitore më herët, veç skuadrave të Europës. Është vendosur në Mavrovë dhe kthehet në Shqipëri më 7 gusht, atëherë kur të tjerët do të udhëtojnë për të nisur punën. Flamurtari ka luajtur edhe miqësoren e parë sezonale, ku në Maqedoni është ndeshur me Makedonijan, skuadër e sapo rënë në divizionin e dytë. Kuqezinjtë fituan 3-2, me gola nga Franc Veliut dhe Ardit Hoxhajt e Kamarasë. Një skuadër, që dita-ditës po ravijëzohet. Një skuadër që këtë sezon duhet të tregojë veten që në fillim të sezonit. Të mos katandiset si sezonin e shkuar, duke luftuar qëndrimin në Superiore. Shkurt, Flamurtari i sivjetshëm është për titull. Dhe nëse ia del, ose të paktën është mes të parëve, kjo pa dyshim është një meritë totalisht e Shpëtim Duros. Sepse ka ndërtuar në qershor-korrik një skuadër nga hiçi, që askush nuk e ngjallte dot.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.