Zyrtare/ Në Kosovë nuk humbasin kohë, caktojnë datën e fillimit dhe përfundimit të sezonit

0

Kosova mori dritën jeshile paraditen e sotme për të rinisur stërvitjet, të cilat do të zhvillohen deri në datën 1 qershor. Ndërkohë Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka humbur shumë kohë dhe ka menduar menjëherë për të caktuar edhe ditën kur IPKO Superliga do të zërë vend në fushë. Komiteti Ekzekutim ka mbajtur mbledhje ditën e sotme, ku nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, kanë vendosur datën 7 qershor për të rifilluar edhe njëherë sezonin e lënë përgjysmë.

Në këtë mënyrë gjithçka do të përfundojë sipas afateve të përcaktuara nga UEFA, teksa IPKO Superliga do të ulë siparin e saj në 25 korrik. Sigurisht që takimet do të jenë pas dyerve të mbyllura, ndërsa klubet do të duhet të ndjekin me përpikmëri rregullat e protokollit higjeno-sanitar në mënyrë që të mos ketë një përhapje të Covid-19 te futbollistët. Ndërkaq lufta për titull në këtë sezon është tërësisht e hapur, ku plot 4 skuadra do të përpiqen ta bëjnë të tyren trofeun në fund. Në garë për t’u shpallur kampion është edhe Gjilani, i cili udhëhiqet nga Gentian Mezani dhe që ndërprerja e kampionatit e gjeti në vendin e tretë me vetëm 3 pikë më pak se kryesuesit e Ballkanit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Njoftimi i plotw i FFK-sw:

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së sot mbajti mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për gjendjen në futbollin  e Kosovës me theks të veçantë për mundësitë e vazhdimit të garave në futboll. Pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për lejimin e garave në Ipko Superligën e Kosovës, KE shqyrtoi mundësitë që në këtë rang  të garave të nisin zhvillimi i stërvitjeve në përputhje me udhëzimin e MSH-së dhe IKSHPK-së.  KE  është i vetëdijshëm për situatën në të cilin gjendet Kosova, por po ashtu është i vetëdijshëm edhe për rëndësinë e përfundimit të garave në Ipko Superligë, pasi që ky rang i garave ka impakt edhe në garat evropiane, prandaj është edhe prioritet, që garat të zhvillohen në këtë ligë që të mos dëmtohen klubet që do ta fitojnë të drejtën e pjesëmarrjes në garat e Evropës. KE thekson se rruga më e mirë është që gjithçka të vendoset në fushën e gjelbër. Në këtë  mënyrë klubet kanë mundësi të përgatiten mjaftueshëm deri në fillimin e ndeshjeve. KE  do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që ndeshjet të zhvillohen në mënyrën sa më të mirë mundshme në përputhje me Udhëzimet e Institucioneve shtetërore. Ndeshjet do të zhvillohen  pa shikues dhe sipas orarit që kanë paraparë organet e FFK-së që do të zhvillohen prej 7 qershorit e deri më 25 korrik.

KE falënderon Ministrinë Shëndetësisë, MKRS-në si dhe organet tjera për mirëkuptimin dhe vendimin e drejt në të mirë dhe interes të futbollit. Ndonëse, në këtë fazë janë  lejuar zhvillimi i garave vetëm për Ipko Superligën e Kosovës, KE varësisht prej situatës do të kërkojë  që garat të lejohen edhe për rangjet tjera, por gjithnjë duke mos rrezikuar shëndetin e qytetarëve e me këtë edhe të futbollistëve. KE do të jetë në përkrahje të klubeve, duke ditur gjendjen e tyre të vështirë  e sidomos tash në këtë kohë kur edhe përgatitjet e tyre kërkojnë më shumë shpenzime do të shikojë  mundësitë që t’u del në ndihmë.  KE do t’i ndihmojë klubet për mjete dizenfektuese dhe mjete tjera të nevojshme.  KE u bën thirrje klubeve që t’u përmbahen  me përpikëri udhëzimeve të institucioneve shtetërore dhe të FFK-së. KE shqyrtoi edhe kërkesat dhe parashtresat drejtuar këtij organi. KE uron klubet për një rifillim të garave dhe me shpresën që gjithçka do të shkojë si është më së miri, që të mos ketë lëndime e as infektime dhe nga kjo pandemi të dalim edhe më të fortë e të shëndetshëm.

Na shkoftë për së mbari!

Presidenti Agim Ademi dhe KE

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.