Zyrtare, Kosova firmos me trajnerin zviceran

Ashtu si pritej, trajneri i ri i Kosovës është zvicerani Bernard Shaland, i cili ka mbërritur sot në mëngjes në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës. 66-vjeçari ka nënshkruar sot kontratën që e bën trajnerin e parë të huaj që do të drejtojë përfaqësuesen e Kosovës.

Shaland gjatë karrierës së tij 40-vjeçare si trajner ka punuar me disa ekipe të njohura në Zvicër, ndërsa me përfaqësuese ka udhëhequr Armeninë gjatë viteve 2014-2015, ku në 9 ndeshje ka pasur 1 fitore, 1 barazim dhe 7 humbje. Ai ishte i papunë që prej dorëheqjes nga posti tek Armenia në marsin e vitit 2015.

Shaland do të debutojë me Kosovën me 24 mars në ndeshjen miqësore kundër Madagaskarit që zhvillohet në Paris. Vetëm 3 ditë më vonë “Dardanët” luajnë miqësoren tjetër ndaj Burkina Fasos, duke nisur kështu përgatitjet për Ligën e Kombeve, në të cilën do të përballen me Maltën, Ishujt Faroe dhe Azerbajxhanin.

Në prezantim Shaland ka thënë se do të mundohet të krijojë një ekip të ri dhe të bashkuar të Kosovës: “Faleminderit për besimin që ma keni dhënë. E njoh dëshirën dhe zjarrin e popullit të Kosovës për futbollin. Për mua është një sfidë e madhe. Kosova është i re dhe ekipi është edhe më i ri. Ajo që është më e rëndësishmja, Kosova duhet të jetë më e bashkuar”.

“Duhet të krijohet një ekip i madh, ka shqiptarë kosovarë që luajnë jashtë shtetit dhe është detyrë që t’i ftojmë. Vetëm me një zgjidhje të mirë individuale do të arrijmë një ekip që duam. Sot nuk do të flas për kualifikimet, por vetëm krijimin e një ekip të mirë. Nëse e bëjmë këtë do të kemi mundësi të kualifikohemi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *