Vllaznia U-19 çon kupën në Shkodër, arbitri ishte turpi i finales

0

Nuk e thërrasin më kot “Djepi i futbollit”. Vllaznia, përtej problemeve që ka në ekipin e parë, vijon të prodhojë talente pa fund.

Sot Vllaznia U-19 fitoi Kupën e Shqipërisë në Elbasan, duke fituar 4-0 në finalen kundër Shkëndijës së Tiranës. Një triumf i regjistruar që në pjesën e parë, me 3 gola te shënuar nga Gruda ne minutën e 25-të, Qardaku në minutën e 30-të dhe Fikja në shtesë. Në pjesën e dytë Lilaj në të 72-tën vulosi suksesin.

Megjithatë, te goli i parë duhet një analizë e thellë, sepse është e tmerrshme se si një arbitër që në teori është profesionist dhe arbitron edhe në Kategorinë e Parë, bën gafë të tillë: një kros në zonën e Shkëndijës, një gjuajtje që përfundon në kokën e një mbrojtësi dhe karamboli e çon te trupi apo dora e një mbrojtësi tjetër, dhe arbitri jo vetëm që akordoi penallti, por edhe karton të kuq për Shkëndijën. Vendim i turpshëm, askush nuk ka të drejtë të sillet në këtë mënyrë, aq më shumë një arbitër me CV të pasur, aq sa shpesh ka qenë arbitër i katërt në Superiore.

Pak rëndësi ka nëse arbitri veproi qëllimisht, apo gaboi: logjika e thjeshtë thotë që në një rast të tillë të dyshimtë, të paktën jep 11-metërsh, por jo edhe karton të kuq, duke parë që lojtarët ishin gjysmë metri nga njëri-tjetri dhe dukej qartë që nuk kishte lëvizje krahësh e prekje të qëllimshme.

Pas avantazhit të Vllaznisë dhe mbetjes së Shkëndijës me 10 lojtarë gjithçka mori fund, pasi diferencat ishin të mëdha dhe pas golit të dytë u bë gjithçka e thjeshtë, aq sa pjesa e dytë ishte si një stërvitore. Mëkat, pritej një finale e bukur, por u prish një nga gafë e tmerrshme, që në FSHF duhet ta analizojnë mirë, për të mos shkuar përndryshe në përfundimin se gjithçka ka qenë me urdhër dhe miratim nga lart.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.