VIDEO | Kukësi mposht kampionët dhe i çon “mesazh” Partizanit

0

Kukësi mund minimalisht Skënderbeun falë një 11-metërshi të shndërruar në gol nga Uilliam Kordeiro. Skuadra e Armando Cungut ka mundur që të marrë 3 pikë me shumë vlerë, ndaj një kundërshtari direkt për titull. Në stadiumin e Kamzës, verilindorët gjetën jo vetëm fitoren por dhe mbështetjen e tifozëve, që këtë edicion u ka munguar jo pak.

Pjesa e parë nisi me ritëm të ulël, me skuadrat që prodhuan pak në vijën e sulmit. Të dyja ekipet ishin disi të ndrojtura, duke u kujdesur fillimisht për të lënë hapësira pas. Bregu dha shkëndijën e parë me një goditje nga brenda zone, por Shameti ndali topin që po shkonte drejt porte.

Ethemi në krahun tjetër krijoi një situatë të rrezikshme, por tetovari u vonua dhe e humbi mundësinë për të goditur. Rasti më i mirë për të shënuar do i takonte vendasve, me Dzarian që shpërdoroi një mundësi fantastike shënimin. Teqja gaboi në tentativën për të larguar topin, duke e çuar topin te Çyrbja, me anësorin që shërbeu për gjeorgjianin, i cili ndonëse i vetëm me portierin mik nuk arriti dot që të shënonte.

Me fillimin e pjesës së dytë erdhi dhe momenti që do të vendose fatin e këtij takimi. Teqja u vonua për të larguar një top në zonën e tij, duke i dhënë mundësinë Ethemit që ta kontrollojë dhe ta detyrojë “gardianin” e korçarëve që të ndërhynte në mënyrë të parregullt. 11-metërsh për Kukësin dhe Kordeiro mori përsipër ekzekutimin.

Braziliani u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke kaluar kuksianët në avantazh. Festë e ligjshme në stadiumin e Kamzës, me tifozët që gëzuan me lojtarët e tyre.

Pas këtij momenti frenat e lojës i mori Skënderbeut që kishte më shumë guxim për të sulmuar, pasi nuk kishte çfarë të humbiste. Kukësi ishte i ndrojtur dhe preferoi që të tërhiqej pas, duke e menaxhuar lojën deri në sekondat e fundit të ndeshjes.

Kukësi arrin Skënderbeun në klasifikim dhe e sheh Partizanin 4 pikë larg, por me demat që do të zbresin në fushë nesër. Javën e ardhshme Kukësi do të sfidojë “demat” dhe fitorja e sotme duket si një mesazh edhe për ta, pasi verilindorët thyen kampionët në fuqi. Skënderbeu pëson humbjen e dytë radhazi dhe të tren në pesë ndeshje.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 16
E premte, më 7 dhjetor
Ora 14:00, stadiumi i Kamzës

KUKËSI 1–0 SKËNDERBEU
Shënues: 
Kordeiro 54′

KUKËSI: Frashëri, Maliki, Krasniqi, Shameti, Cuculi, Limaj (Shkodra 77′), Dzaria, Kordeiro, Çyrbja, Ethemi, Shpehar (Rexhinaldo 67′). Trajner: Armando Cungu. Të gatshëm: Maloku, Rrumbullaku, Qaqi, Zguro, Kalaja.

SKËNDERBEU: Teqja, Vangjeli, Sambou, Aliti, Abazi, Muzaka (Guindo 74′), Dita (Guexh 81′), Demte, Fili, Bregu, Oto Xhon (Gripshi 71′). Trajner: Orges Shehi. Të gatshëm: Dajsinani, Ajziraj, Lulaj, Ziko.

Kartonë të verdhë: Kordeiro 14′, Shpehar 66′ / Dita 34′

GJYQTARË: Juxhin Xhaja, Denis Rexha, Arber Zalla, Emirion Sino.

Delegat: Marjus Sulejmani;

DIREKT

55′ – Ethemi fiton një 11-metërsh, Kordeiro tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.

 

39’ – Fili tenton të befasojë me një goditje nga distanca, topi përplaset në tokë dhe grushtohet nga Frashëri me vështirësi, në vazhdimësinë e aksionit Bregu është më i avancuar se mbrojtja e Kukësit.

 

27’ – Teqja largon në mënyrë të gabuar topin, me tyrben që menjëherë vertikalizon për Dzarian, i cili i vetëm me portierin mik nuk arrin të shënojë. Një rast ideal për shënim.

25’ – Limaj ekzekuton saktë një goditje dënimi për Krasniqin, i cili hedh topin në zonë, ku tenton Dzaria, i cili shërben për Ethemin, me tetovarin që nuk arrin të godasë siç duhet.

3’ – Pas harkimit nga e djathta, Bregu godet bukur, por topi ndalet nga një prej mbrojtësve kuksian. Ka pretendime nga miqtë për një prekje të topit me dorë, por gjyqtari kishte të drejtë, duke vijuar lojën.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.