Urdhri i Demit para Vllaznisë: Kush toleron, përjashtohet!

0

Presidenti nisi mesazh me anë të Drejtorit të Përgjithshëm, Olsi Rama: Jeni nën vëzhgim! Një takim i Sukajt me lojtarët e kuq acaroi situatën

Reagimi i djeshëm i Partizanit i shkon përshtat dhe fjalëve të drejtuesve dhe presidentit të “demave”, Gaz Demi. Ky i fundit e ka bërë të qartë disa herë se nuk dëshiron “filma” në klubin e tij. Numri një i të kuqve do futboll të ndershëm dhe pa problematika, madje ndonjëherë është akuzuar dhe nga tifozët e tij se nuk ndërhyn aq sa duhet. “Nuk do Gazi, pasi po të donte do të fitonte Partizani shumë tituj”, – shprehen ata me njëri-tjetrin. Deri diku është e saktë, pasi Demi u ka thënë dhe lojtarëve në mbledhje: “Unë paguaj, jap lekët, bëj investimin, por mos prisni që t’i fitoj unë ndeshjet në tavolina. Nuk merrem unë me tavolina e me gjyqtarë. Ndeshjet duhet t’i fitoni ju në fushë, pa harruar dhe futbollin sulmues”.

Presidenti i Partizanit i ka luftuar gjithmonë divergjenca të tilla, pasi është për një futboll të ndershëm dhe ka luftuar goxha për këtë pjesë. “Demat” kanë akuzuar dhe ekipe e tjera për këto diskutime, pa harruar dhe faktin se ndonjëherë kanë bërë aleanca. Humbja kundër Teutës u pa si e tillë në mjedisin përreth të kuqve… Mbase ishte lapsus.

URDHRI I DEMIT – Para ndeshjes u krijua ideja se Partizani do të toleronte kundrejt Vllaznisë duke parë dhe situatën në të cilën ndodhej skuadra kuqeblu. Nevoja për pikë e shkodranëve krijoi idenë se skuadra kryeqytetase do ta ndihmonte ekipin e ish-futbollistëve të Partizanit, Xhevahir Sukaj dhe Renato Malota. Numri një i klubit u vu në dijeni të këtyre zërave dhe reagoi menjëherë me anë të drejtuesve të tij. Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, u komunikoi futbollistëve fjalët e presidentit Demi.

“Kam indikacione që disa nga lojtarët e Partizanit janë parë në kafe me sulmuesin e Vllaznisë, Xhevahir Sukaj. Duhet të jepni maksimumin për fanellën e Partizanit dhe të gjitha aludimet që janë bërë për ne. Duhet të mbani lart moralin tuaj dhe të drejtuesve që nuk kanë patur kurrë lidhje me këto zëra. Mos harroni, do të shikoheni të gjithë në këtë ndeshje. Mos t’i shkojë mendja ndonjërit nga ju për ndonjë gjë tjetër. Jeni të gjithë në vëzhgim. Kush nuk jep maksimumin në këtë ndeshje përjashtohet”, – ishin pak a shumë fjalët e presidentin drejtuar lojtarëve të kuq.

Mesazhi i tij, i përcjellë me drejtorin Rama, ishte i qartë dhe askush nuk e bëri dysh fjalën e Demit. Skuadra luajti në fushën e lojës, jo në një nivel të kënaqshëm, por arriti të fitonte dhe të merrte 3 pikët. Në fund, zërat u shuan dhe tifozët mbetën të kënaqur nga skuadra e tyre. Ata donin që të fitonin ndaj Vllaznisë, pasi janë shkodranët që i kanë nxjerrë disa herë nga gara për titull këto sezonet e fundit.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.