UEFA vendos Kukësin në Champions League, koeficienti është super

Jurgen Zela

Kukësi është zyrtarisht i dyti, duke përmbushur kështu dëshirën e drejtuesve të klubit verilindor. Ç’është e vërteta, Kukësi e kishte siguruar me kohë pjesëmarrjen në kupat e  Europës, megjithatë, pas vendimit të UEFA-s për përjashtimin e korçarëve nga Kupat e Europës, verilindorët shpresojnë se mund të jenë ata që do marrin pjesë në kompeticionin më të madh europian për klube. Skënderbeu po e ndjek çështjen në CAS dhe ende nuk është e sigurt që Kukësi do të marrë pjesë në Champions, por për momentin qëndron në fuqi vendimi i marrë nga UEFA dhe që ka qëndruar i pandryshuar edhe nga Apeli i po të njëjti institucion. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së Kukësit, në listën e skuadrave që do të garojnë në turin e parë kualifikues në Champions, është shtuar emri i Kukësit.

LLOGARITË – Turi i parë do të ketë 32 skuadra, 31 që marrin pjesë direkt dhe një skuadër që vjen nga turi paraeliminator, ku marrin pjesë skuadra me koeficient të ulët. Kukësi është pjesëmarrës i rregullt në Kupat e Europës prej 5 vitesh dhe ka bërë mirë, duke kaluar ture gati çdo edicion. Kjo ka bërë që verilindorët të kenë një koeficient jo të vogël. Për këtë sezon Kukësi ka koeficientin 4.250, edhe nëse do të luajë në turin e parë të Championsit, do të jetë në vazon e skuadrave të forta. Pra, në turin e parë do të ketë një kundërshtar në letër më të lehtë. Edhe pse ende nuk janë zbuluar të gjitha skuadrat që do marrin pjesë në këtë tur, Kukësi e ka të sigurt se do të jetë në vazon e parë, gjithnjë nëse luan. Mbrëmjen e djeshme UEFA ka bërë një ndryshim, duke e kaluar kampionen e Polonisë në turin e dytë, çka ka ndikuar për mirë për Kukësin, që pas vetes duhet të lërë 15 skuadra që e kanë koeficientin më të vogël. Deri më tani, poshtë Kukësit janë 14 skuadra, por një ekip do të vijë nga turi paraeliminator, duke plotësuar kështu numrin e skuadrave me koeficient më të ulët se Kukësi. Një lajm shumë i mirë për verilindorët ky, pasi rriten mundësitë për të kaluar turin e parë

Tani edhe te Kukësi janë me sytë nga CAS-i, nëse do të lërë në fuqi vendimin për Skënderbeun, apo do të luajnë në Champions, ku duket se janë me fat dhe mund të bëjnë rrugëtimin e shumëdëshiruar këtë verë. E vetmja gjë jo e mirë mund të konsiderohet fakti se mund të kemi një përplasje shqiptare me Shkëndijën, ose kampionen e Kosovës, që mund të jenë në vazon e dytë, gjithnjë nëse këta të fundit kalojnë turin paraeliminator. Nëse do të luajnë në Europa League, nuk ka nevojë për llogari, pasi me koeficientin që ka Kukësi, do të jetë i sigurt në vazon e parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *