Turneu amerikan nis me alarm për bombë për Realin dhe Junajtid

Sezoni i ri sapo ka nisur dhe Mançester Junajtid e Real Madrid janë spostuar në Amerikë, ku do të zhvillojnë një pjesë të përgatitjeve dhe disa miqësore.

Të dy klubet kanë zgjedhur Universitetin e Kalifornisë në Los Anxheles (UCLA) për të kryer përgatitjet, aq sa janë futur në konflikt edhe për hotelin dhe fushat stërvitore të kompleksit.

Junajtid do të luajë një miqësore pas dy ditësh, kundër LA Galaksi, ndërsa më 23 korrik do të luhet Junajtid-Real, sfidë që do të përsëritet edhe më 8 gusht, për Superkupën e Europës.

Ndërkaq, turneu amerikan ka nisur me shumë ankth për dy klubet e famshëm, sepse në kampusin universitar pati alarm për bombë mbrëmë (me orën amerikane). Një telefonatë anonime paralajmëroi vendosjen e një bombe dhe të gjithë studentët u këshilluan që të braktisnin ambientet e kampusit, për të shkuar te stadiumi.

Autoritetet zbuluan një pako të dyshimtë në kompleksin sportiv, vetëm një km larg fushës ku Reali i Madridit ka nisur stërvitjet, por për fat dy orë pas alarmit erdhi njoftimi që gjithçka mori fund dhe nuk kishte asnjë rrezik për bombë, edhe pse autoritetet kërkojnë kujdes maksimal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *