Toti: Mesi është numri një. Futbolli aktual më mërzit, është vetëm biznes

0

Françesko Toti është në Dubai për edicionin e 12-të të International Sports Conference, event organizuar nga qeveria e Dubait në bashkëpunim me FIFA-n. Toti është nderuar me çmimin e karrierës në Globe Soccer Awards, ndërsa në një intervistë lëshuar për Sky Sport, ka folur për Romën, Juventusin, të birin e vet që ka nisur të luajë futboll për verdhekuqtë, por edhe tema të tjera, si krahasimi mes Mesit e Ronaldos.

A është Roma e këtij sezoni për titull?

“Është një nga kandidatet, një prej 3-4 skuadrave që mund ta fitojnë titullin. Kemi një skuadër kompetitive, të fortë, por siç thashë, janë 3-4 skuadra shumë të forta që kërkojnë të bëjnë diçka të rëndësishme. Është një kampionat ndryshe nga sezoni i shkuar”.

Si drejtues i Romës, a i ke zili ndonjë gjë Juventusit?

“Zilia nuk bën pjesë në repertorin tim, unë shoh, dëgjoj, gërmoj. Na mungon stadiumi ynë, vetëm këtë i kam zili Juves, nëse nuk llogaritim trofetë që ka fituar”.

Sa vlen një titull te Roma, është realisht më e vështirë të fitosh aty?

“Statistikat thonë kështu. Një titull në Romë vlen sa 10 të fituar kudo tjetër në Itali. Shpresoj që Roma të rritet dhe të përmirësohet në çdo pikëpamje”.

Një numër 10 po vuan në këtë moment: Dibala. Jashtë Italie e duan të gjithë, por a nuk do ishte ideal për Romën?

“Ne nuk jemi jashtë Italie. Nëse Dibala ndryshon skuadër, nuk vjen te Roma. Gjithsesi, mendoj se janë muhabete kot, ai nuk lëviz nga Juventusi, është në një klub të madh dhe mund të fitojë shumë atje”.

De Rosi ka thënë kohët e fundit që i mungon Toti si futbollist, sepse ai fitonte ndeshjet.

“I mungoj De Rosit për vendin në autobus dhe për shakatë që bënim. Është një kampion. Së bashku nuk kemi fituar shumë trofe. Për të fituar ndeshjet mendonin edhe ai me pjesën tjetër të skuadrës”.

Mesi apo Kristiano Ronaldo?

“Preferoj Mesin, është më spektakolar, luan me topin, zbavit, por mos u tregoni Ronaldos e Nejmarit. Zgjedh Mesin edhe për faktin se e kam më mik se Ronaldon”.

Futbolli aktual, si duket nga jashtë?

“Në kohën time kishte më shumë vëmendje për të rinjtë, tani kemi mbingarkesë të huajsh dhe kjo nuk më pëlqen. Po qarkullojnë shifra anormale, jashtë logjike, më mungon shumë futbolli i rinisë sime, nuk ishte gjithçka biznes, marketing si tani. Paratë e shpenzuara nga PSG për Nejmarin janë tepër, imagjinoni 85 milionë eurot e paguara nga Liverpuli për Van Dijk”.

Salah po mahnit në Liverpul, i penduar që Roma e shiti?

“E shitëm pasi ramë të gjithë dakord, edhe pse më vjen keq që u largua. Është një prej lojtarëve më të fortë në botë në rolin e tij dhe bën diferencën, kisha një lidhje të shkëlqyer me të, edhe në aspektin njerëzor”.

E ardhmja jote?

“Mund të them që nuk do të bëhem trajner. Objektivi aktual është promovimi i Romës në gjithë botën. Për të tjerat, të shohim në të ardhmen”.

Djali yt Kristian ka nisur të luajë futboll për Romën. Çfarë ndjenje është?

“Nuk shkoi mbarë, humbën 3-0, është hera e parë që e shoh nga kompjuteri. Jam emocionuar pak, në disa momente më është kujtuar vetja kur isha i vogël, kam përshkuar me mendje udhëtimin tim në sektorin e të rinjve te Roma. Shprsoj të mos më dëgjojë çfarë them, jam i kënaqur që po e përjeton këtë eksperiencë, pastaj pak rëndësi ka nëse bëhet apo jo futbollist kur të rritet”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.