“Takimi ishte i vonuar”, Topçiu jep sinjale pozitive: Ministria ishte pro rifillimit, ja kërkesat që shtoi FSHF

0

Qeveria ndërmori më në fund hapin e rëndësishëm, duke zhvilluar ditën e sotme takimin e parë me përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. Një takim ky që la shije positive në fund, teksa kishte optimizëm se futbolli do të rikthehet së shpejti. Protokolli i hartuar nga ana e FSHF-së duket se ishte pritur mirë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe një gjë të tillë e konfirmoi edhe Ilir Shulku.

Ndërkohë në një intervistë për “Studio Sprint” në “ABC News” ka folur edhe Drejtori Juridik i FSHF-së, Aldi Topçiu, i cili rrëfen më tepër detaje rreth asaj çfarë u fol mes palëve. Topçiu thekson se një hap i tillë duhej bërë më parë, ndërsa shton se Ministria ishte pro rifillimit të aktivitetit sportiv, duke bërë kështu që të lindë optimizëm. Sa i përket pyetjeve të shtruara nga ish-ministri Beqaj, zyrtari i Federatës shprehet se politika duhet t’i përgjigjet pyetjeve e jo t’i bëjë ato, në të kundërt ekziston një problem.

TAKIMI – “Nëse ky takim do të ishte zhvilluar një javë më parë, ndoshta mund të ishin përshpejtuar hapat. Protokolli që ne kemi dorëzuar bën fjalë për ndeshjet, është një hap më përpara. Ministria e vlerësoi pozitiv, u vlerësua që mund të përdoret edhe kështu, pa ndryshime të mëtejshme. Nuk i shkuam pikë për pikë secilit propozim. FSHF ka përcaktuar datën 18 maj për stërvitje individuale. Shpjeguam se de fakto kjo stërvitje është realizuar nga lojtarët në shtëpi. Duam të fillojë një stërvitje me 5-6 lojtarë si Gjermani, apo siç do bëjë Portugalia, ose si në rastet e vendeve të rajonit, që janë në situata më të rënda se ne. Ne nuk kemi patur asnjë sportist të infektuar me COVID-19”.

TESTET – “Nuk ishte temë e prekur sot në takim. Do ndodhë nëse takimet vijojnë me ekspertët, pasi disa prej ekspertëve tanë nuk janë në Shqipëri, ndodhen në Itali. Është një kontroll shtesë që duhet bërë në rastet që bëhen nga protokollet”.

PYETJET E BEQAJT – “Nuk di të them, e pashë postimin e Beqajt. Nuk jam i fushës politike, përceptoj që në një vend ku politika bën pyetje dhe nuk i përgjigjet pyetjeve, ka një problem. Ne jemi mësuar me rregulla të shkruara, politika është mësuar me rregulla të pashkruara. FSHF i ka ngarkuar ligji detyrën për të organizuar futbollin, ndërsa politikës për t’u marrë me gjërat e tjerë. E vlerësoj pozitiv që Federatës po i bëhen pyetje, tregon se Federata po e bën punë e vet. Më bën përshtypje se asnjë nga pyetjet e Beqajt, nuk u shtruan nga përfaqësuesit e Ministrisë”.

LOJTARËT – “Nëse do të ketë lojtarë të infektuar? Ne nuk kemi propozuar asgjë që nuk është sugjeruar nga vendet e tjera të rajonit, apo vende që kanë patur situata më të rënda. Janë adresuar nga protokolli në mënyrë shteruese këto raste. Ne po tentojmë të rikthejmë aktivitetin futbollistik, duke patur në bazë shëndetin e futbollistëve. Do mbajmë qëndrim tjetër nëse rrezikohet shëndeti i lojtarëve nga seritë e takimeve me Ministrinë”.

SKENARI – “Skenari që ne jemi përballë sot, është skenari i fundit që FSHF ishte përgatitur. Kishim planifikuar rreth 4-5 raste të tjera për rifillimin, por nuk ishte e mundur për shkak të kushteve dhe vendimeve, që nuk më takon mua t’i gjykoj”.

MINISTRIA – “Ministria ishte pro rifillimit të futbollit, nënvizoi aspektet pozitive që sjell rifillimi i aktivitetit, edhe nga ana psikologjike. Këtu ishim në të njëjtën linjë. Takimi është pak i vonuar, duhet ta kishim filluar 1 apo 2 javë më parë, por kjo nuk varet nga Federata”.

KËRKESA – “Kërkesa jonë kjo ishte, stërvitja gjysmëkolektive ose kolektive, që mund të fillojë, ekspertët kështu thonë. Është e rëndësishme që çdo vendim të jetë i kordinuar me autoritetet dhe me qëllim final ruajtjen e shëndetit të futbollistëve”.

PROTOKOLLI SANITAR – “Mendoj që protokolli jonë ishte goxha i plotë dhe adreson shumicën e problemeve. Ne, çdo dokumet që do na vijë nga Ministria, do e ndajme me klubet. Kemi shkëmbyer informacionet e nevojshme dhe nuk kemi patur ankesa. Mbetemi në pritje, na u premtua që do punohet edhe gjatë fundjavës, shpresojmë të nisë sa më shpejt stërvitja dhe kampionati”, ka deklaruar Aldi Topçiu./Halit Delibashi-Sport Eskpres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.