Strakosha një thesar për Lacion, tani bën edhe mbrojtësin

0

Thomas Strakosha është gjithnjë e më shumë një personazh mjaft i rëndësishëm te Lacio dhe tashmë edhe mediat në Itali e kanë shpesh në qendër të vëmendjes. Gazzetta dello Sport i ka kushtuar një artikull në numrin e saj të fundit, ku është ndalur te cilësitë e portierit shqiptar, i cili tashmë po tregon se nuk është thjesht një portier i aftë të presë mirë, por edhe të luajë shumë mirë me këmbë. Nuk është një rastësi, sepse ka pasur shumë episode ku Strakosha “i vogël” ka treguar se përdor shumë mirë jo vetëm duart, por është vendimtar edhe me këmbë. Në Bergamo, të dielën e shkuar, shembujt e fundit. Dy pritje në kufijtë e mrekullisë, e para ndaj Kristantes dhe e dyta ndaj Papu Gomez, të dyja me këmbë. Të dyja vendimtare për rezultatin final, sepse në rastin e parë shqiptari evitoi që ndeshja të shkonte 3-0 dhe Lacio të kapitullonte, ndërsa në rastin e dytë Atalanta mund të shkonte 4-2 kur mungonte çerek ore nga përfundimi i ndeshjes.

PORTIER, POR MË SHUMË SE KAQ – Pritjet ndaj Atalantës nuk janë një rast i izoluar. Gjithnjë me këmbë, Strakosha evitoi një gol pas gjuajtjes së Kuadrados në Superkupën kundër Juves në gusht. Nëse Lacio pësonte gol, kushedi si përfundonte. Pritjet me duar janë pa fund, nga tre pritjet kundër Xhekos në derbi, që e kthyen në një idhull për tifozerinë laciale, te pritja në shtesë ndaj Dibalës në Torino, që vlejti fitoren historike ndaj Juventusit në Torino. Megjithatë, pritjet me duar janë pjesë e zakonshme e repertorit, ndërsa pritjet me këmbë janë vlerë e shtuar. Fryt i një përgatitjeje specifike që tashmë përfshin gjithë portierët e futbollit modern. Në këtë aspekt, Strakosha është 100% një portier modern. I përdor këmbët jo vetëm për të pritur, por edhe për të krijuar lojën. Manovra e Simone Inzagit niset nga prapavija, lojën e organizojnë tre qendërmbrojtësit, por që gjithnjë e bëjnë në bashkëpunim me Strakoshën, i cili është shumë i zoti me këmbë, për të qenë portier. Aq i zoti, sa ndonjëherë e luan topin me siguri të tepruar, duke tentuar ndonjë driblim të rrezikshëm, si në Torino ndaj Higuainit, i cili për pak sa nuk përfitoi.

NDRYSHE NGA I ATI – Foto Strakosha ka qenë ikonë e kombëtares shqiptare dhe kapiten i saj, por si gjithë portierët e epokës së tij, këmbët i përdorte pak. Evolucioni i species, mund të thuhet me shaka. Një evolucion që ka ardhur nga stërvitjet e personalizuara me përgatitësin e portierëve te Lacio, Adalberto Grixhoni, por edhe me ndeshjet brenda grupit ku Strakosha shpesh merr pjesë si lojtar, jo si portier. “Kërkoj gjithnjë të përmirësohem – tha Strakosha në darkën e Kristhlindjeve, të martën në mbrëmje – . Po mbyllet një vit shumë pozitiv për mua dhe Lacion, por duhet të jetë vetëm një pikë nisjeje. Objektivi? Ta mbyllim ms 4 skuadrave të para në Serinë A”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image