Hasani prezantohet në Iran, por Vllaznia nuk e lëshon

0

Mesfushori ka firmosur me Sepahanin, por kalimi i tij duket shumë i vështirë, sepse ka kontratë me klubin kuqeblu, drejtuesit e të cilit nuk e lejojnë të largohet

Mesfushori Edon Hasani tenton një aventurë të re jashtë Shqipërisë, pas atyre në Bullgari dhe Rumani vite më parë. Futbollisti shkodran është shfaqur papritur dje në Iran, duke u prezantuar nga drejtuesit e Sepahanit, ku më parë është aktivizuar edhe sulmuesi Xhevahir Sukaj. Një lajm krejtësisht i papritur ky, që i ka habitur të gjithë në klubin shkodran, por edhe në qytet. Edon Hasani, pas disa sezonesh me Kukësin, erdhi te Vllaznia në verë dhe ka një kontratë, që nuk e lejon largimin e tij në mes të sezonit, qoftë edhe jashtë vendit. Madje, qoftë edhe për mënyrën si kanë shkuar punët në këtë moment, drejtuesit e klubit shkodran nuk do ta lejojnë kalimin e mesfushorit në kampionatin iranian. Nuk është ende e qartë se me çfarë dokumentesh është paraqitur futbollisti në klubin e Sepahanit, por atij nuk do t’i jepet leja e kalimit për t’u aktivizuar në Iran në këtë moment. Hapet kështu një çështje mes Vllaznisë dhe Hasanit, i cili ka bërë prezantimin te Sepahani, por duket se ka vepruar para kohe.  

Vetëm 25 vjeç, Hasani ka një CV të pasur dhe duket se i ka bindur shumë shpejt drejtuesit e Sepahanit, që kanë eksperiencë të shkëlqyer edhe me Xhevahir Sukajn, i cili kujtohet me respekt të veçantë në Iran. Lëvizja është befasi e madhe, sepse Hasani nuk kishte dhënë ndonjë sinjal largimi apo bisedimesh jashtë vendit. Disa ditë më parë u tha se për shkak dëmtimi ky futbollist kishte mbyllur vitin 2017 dhe u konsideruar një mungesë e madhe për këto ndeshje të fundit. E vërteta është se Hasani ka pasur një dëmtim dhe ishte në fazën e riaftësimit, por këtë periudhë ai e ka shfrytëzuar edhe për merkaton e dimrit dhe ka vepruar me shumë shpejtësi. Nëse ky futbollist do të rezultojë i larguar zyrtarisht nga Vllaznia, do të ishte një humbje e madhe për skuadrën e trajnerit Ernest Gjoka, edhe pse ai ka jo pak mesfushorë qendre aktualisht. Por për momentin Edon Hasani është një çështje dhe mbetet për t’u parë se kush do të fitojë, klubi shkodran apo futbollisti.  

Në këto 15 javë kampionat, Hasani ka qenë një titullar i padiskutueshëm te Vllaznia dhe ka arritur të shënojë edhe dy gola me fanellën e saj.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.