Stadium bosh, në Shkodër fitoi tifozeria vlonjate

Duket sikur ka kaluar një shekull që nga ndeshja kundër Teutës, para pak javësh. “Loro Boriçi” ishte plot kundër durrsakëve, por humbja në atë takim prishi gjithë euforinë dhe tifozët u ftohën. Dje në Shkodër ishte si një miqësore, me shumë pak tifozë, aq sa zor se ishin më shumë se 500 vetë. Ajo që binte në sy për gjatë gjithë 90 minutave, është se tifozët shkodranë u ndien vetëm kur shënoi Gocaj, ndërsa gjatë gjithë ndeshjes ishin të heshtur. E kundërta në tribunën e vogël ku ishin një grup tifozësh vlonjatë, të grupimit “Flota Kuqezi”. Ndonëse të paktë në numër, vlonjatët nuk u nndalën thuajse gjatë gjithë ndeshjes. Të paktën në tribuna vlonjatët fituan pastër.

Image may contain: one or more people, sky and outdoor

TË VEÇANTA

– Minuta e 45-të shënoi një rast të rrallë në stadiumet tona. Në vrapim e sipër, mesfushori Çinari përplaset me gjyqtarin kryesor Sokoli dhe dëmtohen të dy. Loja ndërpritet, ndërkohë që ndërhyrja e stafeve mjekësore të Vllaznisë dhe Flamurtarit bën që të dy ta vazhdojnë ndeshjen. Fillimisht u duk një dëmtim i rëndë për Çinarin, pasi mori një goditje të fortë në kokë.

–  Cungu dhe Duro ishin shumë aktivë gjatë ndeshjes, thuajse gjithë kohën në këmbë, duke orientuar lojtarët e vet, duke protestuar për ndonjë vendim të arbitrit, apo duke shfryrë edhe ndaj ndonjë gabimi të lojtarëve. Kështu, Duro u nervozua në një moment edhe me Jakovljeviç, për një pasim të gabuar që krijoi një mundësi shënimi për Vllazninë. Ndërkaq, trajneri i vlonjatëve ishte shumë i pakënaqur me arbitrin.

– Thuajse 50 faulle u akorduan dje nga gjyqtari Sokoli. Një rekord i vërtetë, ndoshta i vështirë për t’u barazuar nëse hapen arkivat për të paktën sezonet e fundit. Në fakt, pati shumë ndërhyrje të gabuara, por asnjëherë të këqija dhe shpesh krijohej përshtypja se arbitri mund të tregohej pak “anglez”, sepse kishte plot momente kur ishin faulle të lehtë, apo kur mund të lejohej loja e avantazhit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *