Specialist Europe, Plaku bëhet pjesë e Kukësit

Është Sebino Plaku goditja e madhe e Kukësit në merkato, të paktën deri në këtë moment. Sulmuesi i njohur do të mbrojë ngjyrat e klubit verilindor në kupat e Europës, duke zgjidhur një hall të madh për kuksianët, që në sulm nuk kanë më asnjë lojtar. Largimi i Sindrit Gurit ishte një goditje e rëndë për sulmin, ndaj për momentin është gjetur një zgjidhje emergjence, edhe pse Plaku është lojtar me tipare të tjera dhe natyrisht nuk mund ta mbajë i vetëm gjithë peshën e sulmit. “Plakun e njoh mirë dhe them se do ishte luks për çdo ekip ta kishte në skuadër. E respektoj shumë. Do të mësohet ditën e ardhshme se çdo të ndodhë, pasi di që ka dhe interes nga jashtë vendit”, tha ditët e fundit drejtori sportiv Nexhipi, i cili doli hapur dhe pranoi se Plaku ishte synim madhor.

BISEDIMET – Që pas largimit të Gurit, Kukësi kishte si prioritet përforcimet në sulm. Koha nuk është e mjaftueshme, sepse së shpejti nisin ndeshjet e Europës dhe afrimet nga jashtë nuk janë të lehta për t’u realizuar. Trajneri Pakult kërkon lojtarë cilësorë, por edhe me eksperiencë, ndërsa klubi shpreson të gjejë një rrugë të mesme, sepse synon edhe lojtarë të rinj në moshë, me shpresën se do të përsëritë operacionin Guri në të ardhmen, me shitje shumëmilionëshe.

Kohët e fundit ka pasur kontakte me disa lojtarë jashtë vendit, por në mungesë të kohës dhe garancisë për ambientim të shpejtë, te Kukësi kanë menduar për Plakun. Sulmuesi 33-vjeçar është një garanci, vjet ishte vendimtar në Europë për Skënderbeun dhe vjen nga sezon shumë cilësor. Prej javësh ka pasur bisedime me agjencinë EFA, që përfaqëson sulmuesin, por vetëm dje u arrit mareëveshja.

EUROPA – Plaku do të jetë pjesë e Kukësit vetëm për kupat e Europës. Sulmuesi i njohur ka luajtur 21 ndeshje në Kupat e Europës, nga Dinamo te Tirana, nga Skënderbeu te Slask e Partizani, ndërkohë që ka shënuar 5 gola me shumë peshë. Pikërisht për këto të dhëna, por edhe për faktin se tashmë ambientohet shumë lehtë në çdo ekip në Superiore, Plaku është përzgjedhur nga Kukësi, që ka biseduar gjatë me agjentët e tij, derisa është arritur marrëveshja për ndeshjet e verës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *