Soue: Nuk ka ekip që na e shtyn festën, mund edhe Gurin

Dueli më interesant këtë të diel do të jetë ai mes sulmuesve Ali Soue të Skënderbeut dhe Sindrit Gurit të Kukësit. Të dy duan të fitojnë trofeun personal

Leonard Trebicka

Të dielën në Korçë do të ketë shumë duele brenda sfidës Skënderbeu-Kukësi. Janë Ujqërit përballë Mërgatës, Ardjan Takaj përballë Safet Gjicit, por një duel interesant është edhe ai mes dy golashënuesve që luftojnë për Këpucën e artë, Ali Souesë dhe Sindrit Gurit. Janë këto duele, që e bëjnë edhe më interesante ndeshjen e së dielës, kur korçarët do të përpiqen të shkurorëzojnë kuksianët. Në një prononcim për ndeshjen e radhës, sulmuesi i Skënderbeut, Soue, ka theksuar: “Askush nuk do të guxojë tia prishë festën Skënderbeut”…
DËMTIMI – Ali Soue është pika kryesore e Skënderbeut në sulm, pasi jo më kot është shënuesi më i mirë i tij, me një gol më pak se Guri. Pas një terapie në sallë, sulmuesi nga Gambia i është rikthyer dje fushës, por jo në 100% të tij, duke kryer vetëm vrapime. Për gjendjen e tij, sulmuesi do të deklaronte: Për fatin tim të mirë, dëmtimi që pësova nuk ishte serioz. I jam rikthyer fushës dhe ky është një lajm i mirë për mua dhe ekipin. Mezi po prisja të bashkohesha me grupin e lojtarëve, pasi jemi pranë fundit dhe nuk dua të humbas asnjë moment. Shpresoj që me një terapi të shpejtë, deri të dielën të jem gati për ta nisur takimin nga minuta e parë. Kjo është dëshira ime dhe them se do tia dal.
KUKËSI – Diferenca prej 14 pikësh me Kukësin tregon qartë se çfarë kemi bërë deri në këtë moment, duke qenë skuadra më e mirë. Në çdo ndeshje jemi futur për fitore dhe këtë do të bëjmë edhe të dielën. Shpresoj shumë se do të fitojmë, duke dhënë maksimumin. Kam parandjenjën se pas vërshëllimës së fundit të këtij takimi, do të festojmë titullin kampion. Nuk ka ekip që na e shtyn festën, aq më tepër në këtë moment kaq pozitiv që jemi. E rëndësishme që është përveç meje, që shpresoj të jem në fushë, janë rikthyer edhe lojtarë të tjerë si Shehi dhe Xhejms, të cilët janë lojtarë me peshë për Skënderbeun. Jemi më të plotë dhe ajo që më bën përshtypje gjatë këtyre ditëve është morali shumë i lartë në skuadër. Tani na mbetet vetëm të tregojmë se jemi të pandalshëm nga asnjë kundërshtar.
KËPUCA E ARTË Së pari, i uroj shumë suksese sulmuesit të Kukësit, Gurit, por dhe kujtdo tjetër që është në garë për Këpucën e artë. Do të përpiqem ta fitoj këtë duel për trofeun personal. Sigurisht që përballja e së dielës do të jetë edhe një përballje shumë e bukur mes meje dhe sulmuesit kuksian. E përsëris, në ndeshjen e së dielës më e rëndësishme është fitorja e Skënderbeut, kurse golat do të ishin qershia mbi tortë për mua.
E ARDHMJA – Nuk jam duke menduar për një gjë të tillë në këtë moment, pasi kemi edhe një muaj tjetër për të luajtur. Jam totalisht i përqendruar te Skënderbeu dhe jo se çfarë do të bëhet në të ardhmen. Edhe në Korçë është shumë bukur, ndërkohë që vendimin final do ta marr më vonë, pasi unë dhe drejtuesit të ulemi për të folur. Të fitojmë njëherë titullin, të marrim edhe trofeun e kupës dhe pastaj flasim për gjëra të tilla, – ka përfunduar sulmuesi nga Gambia, Ali Soue.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *