Soue gëzon korçarët: Te Skënderbeu gjithçka perfekte, vetëm ndonjë ofertë super më largon

Sulmuesi kryesor i korçarëve, Ali Soue, thekson se fakti që në vazhdim nuk do të ketë më ndeshje europiane është avantazh për të shkuar i qetë te titulli

Leonard Trebicka
Ali Soue rezulton të jetë një nga blerjet më të mira jo vetëm të Skënderbeut, por edhe të gjithë Superiores për këtë sezon. Sulmuesi nga Gambia, i huazuar nga korçarët, më shumë se për golat, dallon për mënyrën e lojës, profesionalizmin e tij dhe sakrificën për grupin. Madje, në një farë mase, Skënderbeu ka krijuar varësi nga Soue, aq më tepër që në këtë moment ai është qendërsulmuesi i vetëm në ekip. Në një intervistë për “Sport” Ekspres”, Soue thekson se ekipi do të jetë edhe më i fortë në vazhdim, pasi nuk ka ngarkesën e ndeshjeve europiane. Është i bindur për titullin dhe nuk e fsheh dëshirën për të vazhduar me Skënderbeun dhe sezonin tjetër.

– Soue, sapo jeni kthyer nga Antalia. Si shkoi faza përgatitore?

– Ishte një fazë përgatitore shumë e mirë, në kushte perfekte dhe që na shërbeu për pjesën e dytë të sezonit. Jemi pak të lodhur, por kjo është normale, sepse kemi zhvilluar nga dy stërvitje në ditë.

– Në ndeshjen e fundit miqësore nuk u aktivizuat. Çfarë ju shqetëson?

– Ngarkesa ka qenë e madhe gjatë qëndrimit në Turqi dhe kisha nevojë të qëndroja pak pushim. Trajneri dhe stafi mjekësor më kursyen pak a shumë. Nuk kam asnjë problem dëmtimi, gjëra të vogla të të fazës përgatitore. Tani jam gati dhe ju premtoj se do të jap më të mirën deri në fund.

Si do të jetë Skënderbeu i 2018-ës, më i fortë apo ajo skuadër që kemi parë në 16 javët e para?

– Afrimet në skuadër, Vila dhe Krasniqi, them se do ta rrisin rendimentin e ekipit. Fakti që kemi ruajtur grupin të plotë, plus afrimet, më bën të mendoj se do të jemi më të forte. Kam bindje për këtë.

– Pse më të fortë, çfarë do të ndryshojë?

– Më të fortë, sepse siç e theksova më lart, kemi ruajtur grupin dhe kjo është shumë pozitive, ndërkohë që nuk do të kemi ngarkesën e ndeshjeve të Europa League. Kjo do të thotë se do t’i ruajmë fuqitë vetëm për ndeshjet e kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë. Kur luanim edhe në Europë, dashje pa dashje, lodhja ishte e madhe, por ne ditëm ta përballonim.

– Skënderbeu e nis pjesën e mbetur të kampionatit me një avantazh prej 9 pikësh nga vendit i dytë

– Do të mundohemi ta administrojmë në mënyrën më të mirë këtë diferencë pikësh. i kemi të gjitha mundësitë ta bëjmë këtë gjë, pse jo dhe ta thellojmë diferencën. Gjithsesi, janë 9 pikë, nuk janë pak, apo jo…?

– A do të vazhdojë Ali Soue me po atë paraqitje të 16 javëve të para?

– Jam përshtatur shumë mirë me Skënderbeun. Kanë kaluar shumë muaj që tani pjesë e këtij ekipi dhe sigurisht që do të jem edhe më mirë. Në fillim e kisha të vështirë, pasi vija në një kampionat të panjohur. Jam i bindur se do të jap më të mirën me lojë dhe me gola. Dua të shënoj sa më shumë për Skënderbeun dhe thjesht premtoj maksimumin.

Sa ju ndihmon ekipi për të shkuar te goli?

– Kemi një mesfushë të blinduar në të gjitha drejtimet dhe kjo e bën një sulmues të dalë më thjesht te goli.

– Ju keni kontratë me Skënderbeun deri në fund të këtij sezoni. Do të kishit dëshirë të qëndronit?

– Kam kontratë deri në fund të këtij sezoni, me formulë huazimi me Skënderbeun. Nëse nuk do të kem ndonjë ofertë nga ndonjë skuadër me emër në Europë, do të qëndroj patjetër.

– Keni biseduar me presidentin Ardjan Takaj për këtë çështje?

– Po, presidenti më ka shprehur besimin e tij dhe më ka thënë se do të bëjë çmos të më mbajë te Skënderbeu edhe vitin tjetër. Kjo është një gjë e mirë për mua, por le t’ia lemë kohës, sepse tani fillon pjesa tjetër e kampionatit dhe duhet të jemi të përqendruar 100% te fusha.

– Skënderbeu është kandidati kryesor për titullin. Ju si e shikoni këtë objektiv?

– Kur erdha te Skënderbeu, pasi pashë grupin dhe gjithçka tjetër, isha i bindur se jemi skuadra që do të triumfojë në fund. Jemi afër gjysmës së Superligës dhe jemi në majë të shkëputur. Tani e them edhe më me bindje se do të jemi kampionë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *