Shkëmbi konfirmon: Mund të kthehem në Superiore

Ish-kapiteni i korçarëve komenton titullin e fundit të fituar nga skuadra e Dajës dhe flet edhe për të ardhmen. Është mes Kosovës dhe Shqipërisë

Leonard Trebicka

Në vitin e parë të karrierës si trajner, Bledi Shkëmbi vendosi të drejtonte në Kosovë dhe zgjidhi Lirinë e Prizrenit, që ka bërë një kampionat të mirë, pavarësisht problemeve që e kanë shoqëruar, sidomos kohët e fundit. Ish-kapiteni i Skënderbeut ndodhej në stadium ditën e diel, ku ndoqi nga afër ndeshjes me Teutën. Ishte rastësi që në Korçë luanin dy skuadra, me të cilat Shkëmbi është aktivizuar në karrierën e tij. Javën e ardhshme në Korçë do të organizohet festa e titullit kampion dhe Shkëmbi nuk mund të mungojë. Shkëmbi la futbollin e luajtur dy vjet më parë dhe, pas një viti si opinionist sportiv, nisi karrierën si trajner.  

Në një prononcim për “RTSH”, Shkëmbi ka pohuar se ka pasur kontakte nga drejtues të skuadrave të Superiores, por ende nuk ka vendosur se ku do ta vazhdojë karrierën e tij. Po ashtu, ish-mesfushori i korçarëve ka dhënë mendimin e tij për titullin e fituar këtë sezon nga Skënderbeu: “Titulli i Skënderbeut është kënaqësi e madhe për mua. Më vjen shumë mirë që e shoh Skënderbeun kështu, por kuptohet që nuk është i njëjti përjetim me kohën kur isha kapiten dhe luaja edhe vetë. Tani është një emocion si qytetar dhe si ish-lojtar i këtij ekipi. Do të vlerësoja shumë faktin që Skënderbeu e fitoi bindshëm titullin në një sezon, ku ka pasur një ngarkesë nga ana psikologjike. Nuk ka qenë një titull i thjeshtë për lojtarët dhe për klubin, pas lajmeve që vinin nga UEFA”, – tha fillimisht Shkëmbi.

LIRIA – “E vërteta është se nuk janë të njëjtat kushte si në fillim. Është larguar presidenti dhe njerëzit, me të cilët firmosa kontratën, kur u bëra pjesë e Lirisë. Nuk mund ta fsheh faktin që kemi pasur probleme financiare periudhën e fundit. Kam lexuar shumë lajme kohët e fundit. Ka pasur një interesim nga Feronikeli dhe skuadra të tjera, por jo oferta konkrete për mua. Janë dëshira të tyre dhe mund t’i konsideroj oferta vetëm nëse ulem në tavolinë me flas konkretisht me drejtuesit e këtyre skuadrave”.

SUPERIORJA – “Nuk do ta përjashtoja këtë pistë, sepse kam parë që shumë ekipe kanë dëshirë për të më pasur si trajner sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, është shpejt për të folur për të ardhmen”, – ka përfunduar Bledi Shkëmbi, ish-kapiteni legjendar i Skënderbeut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *