Rrumbullaku u zbulon Laçin qipriotëve

Mbrojtësi i Kukësit analizon kurbinasit, që do të përballen me Anorthosis Famagusta në turin e parë të Europa Ligës

Laçi mund të ketë risi sot në stërvitje. Deri më tani lëvizjet në merkato kanë qenë të pakta, ndërkohë që më së shumti ka pasur largime. Drejtuesit po punojnë për të afruar disa lojtarë dhe emergjente shihet që të afrohet një qendërmbrojtës dhe një sulmues. Akoma nuk ka firmë në kontratë me asnjë dhe nga merkatoja bardhezi nuk zbulojnë detaje. Është praktikë pune e kahershme që vazhdon të ndihet me besnikëri nga presidenti Laska dhe pjesëtarët e stafit të tij.

RRUMBULLAKU – Në Qipro duan ta njohin Laçin sa më mirë dhe për këtë është kontaktuar Simo Rrumbullaku, një lojtar i formuar në Greqi dhe që prej 18 muajsh aktivizohet me Kukësin në Superiore. Gjirokastriti ka folur në “kerkida.net” dhe vë në dukje faktin që kurbinasit janë një ekip i ri, i fortë në shtëpi dhe që vrapon shumë. “Është një ekip i vështirë shumë kur luan në shtëpi, ka një skuadër me të rinj që japin gjithçka, pa emra të mëdhenj. Përpiqen nga minuta e parë në minutën e fundit. Për mua ishte një surprizë e këndshme këtë vit, bazuar në listën e lojtarëve. Ata nuk kanë shumë eksperiencë, por kishin punuar shumë, vrapojnë mjaftueshëm, kanë pasion dhe vullnet. Sipas meje, dy-tre lojtarë dalluan, portieri kryesor Selmani, i cili është pjesë e Shqipërisë U21. Edhe Myrto Uzuni, i cili është një mesfushor i zgjuar dhe i shpejtë në krahun e majtë. Në mesfushë kanë një brazilian, Maikon Eskerda, me një teknikë mjaft të mirë”, ka thënë mes të tjerash Rrumbullaku.

PËRGATITJET – Ditën e djeshme Laçi ka punuar vetëm me një seancë. Trajneri Besnik Prenga ka menduar që futbollistët e tij këtë herë të mos zbrisnin në fushën e blertë si ditët e tjera, por të vraponin përgjatë Kodrës së Liqenit Artificial në kryeqytet. Në pamundësi për të gjetur një miqësore, pasditja është lënë pushim, ndërkohë që edhe sot ekipi do të punojë me vetëm një seancë, këtë herë në Laç. Prej orës 18:00 ekipi pritet të zbritet në fushë, ndërkohë që po mendohet edhe për fazën përgatitore. Ende nuk është vendosur përfundimisht, por nuk përjashtohet mundësia që ekipi të transferohet dhe të përgatitet intensivisht jashtë vendit para ndeshjeve me Anorthosis Famagusta.

Vladimir Prenga

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *