Rruga drejt titullit, “Zonja” me dy transferta “ferri”

0

Diferenca është vetëm 1 pikë, por tani jetësore janë 4 ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit. E kështu, Juventusi, që kryeson ende renditjen, ka dy transferta “big”, në krahasim me Napolin që ka dy transferta pak më “soft”, pra të buta.

Në fakt, nëse për bardhezinjë impenjimet në “San Siro” me Interin dhe në “Olimpico” me Romën duhen marrë shumë seriozisht dhe duhet një super Juventus për të dalë me 3 pikë, për axurrët stacioni Firence ndaj Fiorentinës dhe Xhenova ndaj Sampdorias është më i kalueshëm. Dhe, javën tjetër, menjëherë janë dy sfida që mund të vendosin shumë. “Zonja” shkon të luajë me Interin, që ka një motivim të hekurt: të kapë zonën Champions.

Ndërsa, Napoli shkon në “Artemio Franchi”, aty ku Fiorentina, që duket e dorëzuar për të mos kapur Europën dhe në krizë kohët e fundit, do të ketë më pak motivim. Ndërkohë, pas një jave, të dy ekipet do të presin dy skuadra të dobëta në letër: Juventusi do të luajë me Bolonjën, që nuk ka çfarë i jep më këtij kampionati, ndërsa Napoli me Torinon, që gjithashtu po nis të zbehë shpresat për në Europë.

Më pas, sërish transfertat delikate. Juventusi në Romë ndaj verdhekuqëve, që nëse nuk kanë siguruar zonën Champions, do të duhet të paktën të marrë 1 pikë, teksa Napoli në Xhenova, ndaj Sampdorias, që nëse zona evropiane do të jetë larg të paktën 5 pikë, vështirë që do të luajë në maksimum. Ndeshjet e fundit janë praktika të mbyllura, me Napolin që pret Krotonen dhe Juven që pret Veronën.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.