Ronaldo Fenomeni: Kristiano do të qëndrojë në Madrid

Kristiano Ronaldo te Juventusi! Ky është lajmi që në orët e fundit e ka ngritur në këmbë opinionin publik sportiv, aq sa në momente të caktuara i ka marrë vëmendjen dhe Kupës së Botës. Ndonëse ka pa fund aludime se CR7 e ka arritur marrëveshjen, apo po kërkon shtëpi në Torini, një nga legjendat e futbollit ka dhënë mendimin e tij.

Ronaldo Fenomeni mendon se portugezi nuk do të ndryshojë ambient. Për gazetën spanjolle “Mundo Deportivo”, ish-ylli brazilian ka treguar se është vetëm një mendim i tij dhe nuk ka folur me Kristianin, por ai beson se fundi i merkatos do ta gjejë sërish në Spanjë 33-vjeçarin.

“Unë besoj se në fund Kristiano Ronaldo do të qëndrojë tek Real Madrid. Nuk kam biseduar me të. Nuk e di nëse do të shkojë tek Juventus apo jo”.

Më pas Fenomeni nuk nguron që të japë dhe mendimin e tij nëse për Ronaldon do të ishte më e lehtë apo jo që të luante në Seria A. 41-vjeçari ka një vlerësim të pamasë për Kristiano Ronaldoin dhe beson se me kualitetin që ai ka do të bënte mirë kudo që të luante.

“Kristiano nuk do ta kishte problem të luante në Serinë A, megjithatë do të kishte më pak hapësira sesa në La Liga apo në Premier. Cilësia e tij do ta bënte që ta kapërcejë këtë vështirësi pa probleme. Kristiano do të jetë Krisitano kudo që të luajë. Ai mund të luajë kudo që dëshiron, në çdo klub që do të shkojë gjithmonë do të bëjë mirë”.

Ronaldo e deklaroi se do të largohej nga Real Madrid menjëherë pasi fitoi trofeun e Champions-it ndaj Liverpulit dhe duket se i qëndron sërish atij mendimi. Orët në vijim mund të jenë vërtetët vendimtare për të ardhmen e portugezit Ronaldo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *