Roma në gjyq, si mund të shitet Salah aq lirë?

Dita pas Liverpul-Roma 5-2 ka si kryefjalë vetëm emrin e Mohamed Salah, yllit egjiptian që vendosi sfidën, me dy gola dhe dy asiste. Faraoni ishte i Romës deri verën e shkuar, por klubi verdhekuq ia shiti Liverpulit për një shifër që në këtë moment ngjan qesharake, 30 milionë euro plus bonuse. Kjo ka bërë që tifozët e Romës të kritikojnë ashpër klubin, që u nxitua verën e shkuar, edhe pse realisht Roma dëshironte të shiste lojtarë të tjerë, por për Salah u arrit shpejt marrëveshja dhe drejtori sportiv Monçi shpjegon pse u shit.

“Është e vërtetë, e shita Salah lirë, por isha i detyruar për shkak të presionit nga UEFA, në lidhje me Fair Play financiar. Duhej ta shisnim brenda 30 qershorit për të regjistruar arkëtimin në bilancin e sezonit të shkuar, përndryshe nuk do të ishim fare në kupat e Europës këtë sezon”, ka shpjeguar Monçi, për të justifikuar çmimin e sulmuesit.

Në fakt, me bonuse çmimi i Salah shkon goxha më lart: “Llogaritë tona ishin nën kontrollin e rreptë të UEFA-s dhe kur erdha unë, në tryezë ishte një ofertë prej 30 milionë eurosh për Salah, që më pas e çuam në 50 milionë euro, duke përfshirë bonuset. Me pak fjalë, bëmë maksimumin e mundshëm”, vijon Monçi, i cili e pranon se në muajt pasues çmimi u bë qesharak.

“Nuk e prisja që merkatoja të çmendej dhe lojtarë si Nejmar, Mbape, Dembele apo Kutinjo të kapnin ato çmime. Salah vlen shumë më tepër se sa e shitëm ne, është e vërtetë, por nuk kishim alternativa dhe i bëj komplimente Liverpulit për biznesin e kryer”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *