Prapaskenat e përçarjes më të madhe në historinë e Gjermanisë!

0

Në Gjermani e kanë të vështirë të harrojnë eliminimin befasues të kombëtares në Botërorin e Rusisë. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që kombëtarja të mbetej në grupe, por ky është futbolli. Post eliminimi u shoqërua më kritika të shumta dhe pavarësisht se drejtuesit dhe trajneri insistuan në faktin që grupi është i shëndetshëm, e vërteta është ndryshe. Gjermanja “Spigel” ka botuar një artikull ku flet për problemet brenda kombëtares dhe ndarjen e lojtarëve në dy kampe.

Trajneri Lëv do të dalë në konferencë për shtyp ditën e mërkurë dhe për herë të parë do të flasë zyrtarisht për eksperiencën e hidhur në Rusi. Trajneri do të shpallë dhe listën e lojtarëve për ndeshjet miqësore me Francën (6 shtator) dhe Perunë (9 shtator). Në Gjermani janë kuriozë për listën e re të Hoakim Lëv. Ozil u tërhoq vetë, ndërsa Kedira, Myler dhe Boateng rrezikojnë postin e tyre. Por ky nuk është problemi kryesor. Ajo që shqetëson botën e futbollit gjerman është fakti që ka një çarje të thellë në dhomat e zhveshjes. Grindje dhe përplasje kulturore.

Nga njëra ana gjermanët, ndërsa nga ana tjetër lojtarët e natyralizuar me kombësi të huaj. Të parët njihen si “Kartoffeln” (turqit e përdorin për të thirrur gjermanët vendas), ndërsa të dytët si “Kanaken”. Të parët përbëhen nga emra si: Nojer, Myler, Humels, ndërsa të dytët nga emra si: Boateng, Rudiger, Gyndogan dhe Ozil (i tërhequr nga kombëtarja). Të dy palët ishin mërzitur me trajnerin e tyre. Të parët për mos grumbullimin e Vagner, ndërsa të dytët për mungesën e Sane. Të parët janë të qetë, preferojnë të jenë të rezervuar dhe fanatikë të privatësisë së tyre, ndërsa të dytët dëgjojnë muzikë “Rap”, dhe preferojnë makina luksoze.

Kedira është afër grupit gjerman, ndërsa Draksler është mes dy “grupeve”. Boateng dhe Rudiger nuk përtojnë të “ngacmojnë” Humelsin, të cilit i pëlqen të sillet si profesori i klasës. Në Gjermani janë të shqetësuar për të ardhmen, sepse mbi 30% e të rinjve që luajnë me kombëtaret e moshave, janë me origjinë të huaj. Çarja është e dukshme dhe topi kalon në dorën e Lëvit dhe drejtuesve të Federatës për të formuar përsëri një grup të fortë, por mbi të gjitha, të bashkuar. Me qëllimin e vetëm për të rikthyer Gjermaninë aty ku i takon.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.