Policia që (nuk) duam!

Alarmi i ri në futbollin shqiptar vjen nga tribunat. Nëse dëmi që xhaketat e zeza shkaktojnë në fushë do të ndikojë në rezultate, dëmi i xhaketave blu mund të jetë fatal. Mungon protokolli i sjelljes, por sidomos mirëkuptimi

Anton Cicani

Policia që duam, ose më saktë, ajo që nuk duam! Në stadiumet shqiptare, çdo fundjavë, dëgjojmë nga një histori që pasuron një kapitull të shëmtuar… Forcat e rendit, që dinë se si të sillen në një miting, apo të vëzhgojnë dhe ruajnë një ndërtesë apo objekt, që dinë se si të arrestojnë një kriminel apo hajdut, në stadiumet shqiptare janë padiskutim ende në faqen e parë të alfabetit…

Nuk është injorancë, është thjesht një padituri rrjedhojë e faktit që policia, në stadiume, duhet të jetë sa më e paktë. Vendet perëndimore dhe kampionatet më të rëndësishme i kanë hequr me kohë, ndërsa në disa vende ballkanike, prania e tyre kërkohet kur ka ndeshje të rrezikuara mes tensionit dhe ballafaqimit të tifozerive, Brenda stadiumit, pasi jashtë është një situatë tjetër. Por kur në stadium, problemi janë ata, vetë policët? Atëherë, këtu nis një tjetër histori.

Historia e policisë që ne nuk duam të shohim. Ajo që “imponon” praktikisht jo më respekt, por provokim karshi tifozëve, të cilët përgjatë 90 minutave, duke qenë se nuk ndodhen në një librari, shpesh kalojnë mbi rreshta dhe përdorin ofendime me shumicë, por edhe kundërvihen ndaj vendimeve të gjyqtarëve, apo fyejnë kundërshtarin… Dhe, protokolli imagjinar i policisë, ai që në fakt nuk ka ekzistuar ndonjëherë, ose nuk do të ekzistojë ndonjëherë, vazhdon të prishë atmosferën.

Rasti i fundit, në “Loro Boriçi” të Shkodrës, aty ku prania e tifozëve shkodranë ishte sa një grusht me miza (shkak situata e paqartë në klub, e ardhmja e zymtë, rezultatet e dobëta)… Dhe, për t’i dhënë edhe më shumë imazhin e një kishe – ditë jave – stadiumit, xhaketat blu (pasi xhaketat e zeza këtë sezon kanë reduktuar “dëmet”, flasim për arbitrat) kanë menduar që të bëhen protagoniste. Në fillim futen te sektori i tifozëve të Partizanit (që kishin udhëtuar nga Tirana), më pas shoqërojnë një ose dy prej tyre dhe, në fund, “detyrojnë” pjesën tjetër të largohet, pasi për ata që lënë familjen, miqtë, të afërmit, apo edhe bashkëshorten e fëmijët, shkallët e stadiumit janë të shenjta, por më e shenjtë është padiskutim harmonia e tyre.

Gra, vajza të reja, fëmijë të vegjël dhe familjarë, të gjithë duke u larguar. Skena të vyera për ekranin, që nuk i bëjnë mirë askujt. Nuk kishte flakadanë, nuk kishte fishekzjarrë apo tymyes. Kishin në duar disa parulla në formë mesazhesh, drejtuar klubit dhe skuadrës së tyre. Vetëm kaq… Dhe, forcën e zërit, që e ngritën edhe pas ndeshjes, me komunikatë. Dhe, nëse vetëm sepse të kanë dhënë një shkop gome, apo një disktintiv, nuk mund të mendosh se je i gjithëpushtetshëm dhe të bësh çfarë të duash? Sepse, në fund të fundit, je zgjedhur në atë rol për të mbrojtur dhe jo për të detyruar të tjerët të mbrohen…

Rasti i “Loro Boriçi”-t është vetëm maja e një Ajsbergu, i cili po qëndron poshtë prej shumë vitesh. Në fakt, duke mbledhur episodet ku policia ka tejkaluar cakun, realisht kupton se jo vetëm që mungon protokolli i sjelljes, por edhe mirëkuptimi… Vetëm një vit më parë, të gjithë mbajnë mend që një tifoze e Partizanit desh humbi jetën për një kaos të krijuar në “Elbasan Arena”, mes policisë dhe Ultras Guerrils, tifozëve të Partizanit. Fati, mjekët, por edhe Zoti deshën që ajo vajzë të shpëtonte, por nëse do të kishte ndodhur tragjedia, kush do ta “vishte” fajin e tmerrshëm?!

Policia, sigurisht që jo, pasi ata “bënë vetëm detyrën”, do të thuhej, pasi u ndjenë të provokuar nga tifozët. Praktikisht, jemi duke ecur mbrapsht dhe jo përpara… Mjafton një fyerje ndaj një polici, që ai të preket në personalitet dhe të ngrejë dorë. Kundër kujt? Një fëmije, një plaku, një të moshuari, një vajze apo një adoleshenti që ka shpërthime emocionale?! Dhe për çfarë, për futboll, që duhet të shërbejë për argëtim. Thyerja e stolave, sigurisht, është dëm dhe duhet dënuar, ashtu si hedhja e sendeve në fushë, por një shkop gome në trup e fytyrë është padiskutim një dëm që mund të mos ketë më riparime… Dhe, duke u nisur nga fakti që në stadiume duam tifozë, atëherë të mos bëhemi ne ata që i largojnë me dorën e tyre.

Torasa: Nuk e kuptoj se çfarë do policia brenda në tribunë

Kohë më parë, ish-futbollisti i Partizanit, Agustin Torasa, pas ngjarjes së ndodhur në “Elbasan Arena”, ku pati trazira, gjatë Partizani-Skënderbeu, do të deklaronte kështu për “Sport Ekspres”: “Kam luajtur në Argjentinë, në një nga vendet më të nxehta sa i përket tifozerisë dhe mund t’iu them se policia nuk ka vend në tribuna, sepse ashtu indinjon tifozerinë dhe mund të sjellë edhe situata fatale.

Nuk e kuptoj si hyri në tribunë dhe nisi të godiste tifozët me shkop gome, duke mos ruajtur atë linjë që duhet ta ndajë nga tribuna?! Ajo solli më pas pasojat, që të gjithë i panë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *