Përfundon telenovela, Perisiç rinovon me Interin deri në 2022-shin

Katër milionë euro rrogë plus shpërblime të tjera, deri në vitin 2022 për kroatin. “Kjo një ditë e veçantë. Më në fund jam i lumtur pas stresit të verës”

Lajmi që prej prej javësh është zyrtarizuar dje pasdite, me sulmuesin e krahut të Interit, Ivan Perisiç që ka rinovuar kontratën e tij me zikaltërit e Milanos deri në vitin 2022. Ka qenë vetë klubi i Interit që ka komunikuar për mediat se gjithçka ka marrë fund. Ivan Perisiç ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë gjithë verës, sidomos me një transferim të mundshëm të tij tek Mançester Junajtid. Por në fund kroati vendosi të qëndronte në Milano besnik i Interit. Sigurisht dhe oferta financiare e klubit ka bërë efektin e vet, pasi ai pritet të bëhet një nga lojarët më të paguar të Interit. Në bazë të kontratës së re, Ivan Perisiç do të përfitojë një pagë prej 4 milionë eurosh në sezon, plus dhe shpërblimet.

KROATI, I LUMTUR – Pas zyrtarizimit të rinovimit të kontratës së Perisiç me Interin nuk kanë munguar komentet dhe reagimet e para. pas klubit ka qenë vetë sulmuesi i krahut, i cili ka folur për televizionin e klubit “InterChannel”. “Kjo është një ditë e veçantë për mua. Sigurisht që jam i emocionuar, por nga ana tjetër dhe shumë i kënaqur, pas stresit jo të paktë që kam kaluar gjatë verës. Tani është koha të shohim përpara dhe unë mendoj vetëm për Interin. Pas firmës tani duhet të mendoj vetëm për fushën. Nuk kam folur prej shumë kohësh në media, por tani mund të them diçka. Gjatë kësaj kohe kam folur me trajnerin Spaleti, madje e kam bërë që në fillimin e përgatitjeve dhe më ka thënë se nën drejtimin e tij mund të përmirësohem edhe më shumë. Kemi folur gjatë dhe hapur mes nesh dhe jemi të lumtur që do të vijojmë rrugëtimin së bashku.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *