Perandori i parë dhe i vetëm, Bekenbauer mbush 72 vjeç

Një ndër futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Franc Bekenbauer, feston sot ditëlindjen e 72-të. Lindur më 11 shtator 1945 në Mynih, Bekenbauer e nisi te Mynih 1860 dhe më pas kaloi te klubi i dytë i qytetit në atë kohë, Bajerni, ku u bë futbollisti më i madh gjerman, përveçse mbrojtësi më i madh i gjthë kohërave te Bajerni. Një lider i vërtetë, përtej aftësive si futbollist, ndaj Bekenbauer meritoi nofkën Der Kaiser (“Perandori”), lidhur edhe me emrin e tij Franc, që kujtonte Perandorët e mëdhenj të Austrisë.

Bekenbauer, i konsideruar si kapiteni më i madh në historinë e futbollit, ka luajtur 103 ndeshje për Gjermaninë, duke marrë pjesë në 3 Kupa Bote, ndërsa është i vetmi, së bashku me Mario Zagallon e Brazilit, që ka fituar Botërorin si futbollist dhe si trajner (1974 e 1990).

Si futbollist, Bekenbauer bëri të famshëm rolin e “liberos”, duke avancuar përpara me topin në këmbë dhe duke nisur sulmet e skuadrës së tij. Kjo bëri që Bekenbauer të konsiderohej nga ekspertët e futbollit si mbrojtësi më i kompletuar në historinë e futbollit. Bekenbauer fitoi edhe Euro 1972, sërish si kapiten, ndërsa u tërhoq nga kombëtarja në vitin 1977, në moshën 31-vjeçare.

Në nivel klubi, Bekenbauer luajti thuajse vetëm për Bajernin, duke fituar tre Kupa Kampionesh rresht në periudhën 1974-1976, ndërsa fitoi edhe Kupën e Kupave në vitin 1977, para se të shkonte te Nju Jork Kozmos në Amerikë (në një ekip me Pelen, ëndrra e Kaiserit, 3 tituj kampionë në 4 vite) dhe të luante më pas edhe për një vit me Hamburgun në Bundesligë, ku sërish fitoi titullin.

Dy herë Futbollisti i Vitit, tashmë Bekenbauer është President i përjetshëm i Bajernit të Mynihut.

Kanë hyrë në histori disa nga batutat e tij: “Krujf ishte lojtar më i mirë, por unë isha kampion bote”, “Për të pasur sukses si futbollist, trajner e drejtues, duhet shumë disiplinë, pak fat dhe të lindësh në vendin e duhur, në momentin e duhur”, “Jam njerëzor, jo magjistar. Nëse kërkoni një të tillë, shkoni në cirk”, “Fitorja 7-1 e Gjermanisë ndaj Brazilit nuk duhet të ndodhë më kurrë në një gjysmëfinale Botërori. Edhe si gjerman, ishte e sikletshme ta shihje”, “Pas humbjes ndaj RDGJ-së në Botërorin 1974, ia shtruam me birra, cigare dhe muhabet. Kjo gjë na ndihmoi”.

Image result for beckenbauer

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *