Partizani konfirmon Dalipin: Media tendencioze, synojnë destabilizimin tonë

Humbja e dytë rresht në kampionat ka rikthyer tensionin të Partizani, me trajnerin Klevis Dalipi që pas ndeshjes së djeshme i kërkoi kohë klubit, ndërsa i cilësoi thashetheme gjithë ato qe janë shkruar për bisedimet e Partizanit me trajnerin kroat Tokiç, edhe pse ky i fundit ishte i pranishëm në stadium dje dhe ka pasur realisht bisedime me Partizanin.

Situatë e nderë, që ka bërë që Partizani të dalë sot me një deklaratë për shtyp, ku ka konfirmuar trajnerin Dalipi, si dhe ka sulmuar mediat, që sipas klubit të kuq po e sulmojnë qëllimisht për ta destabilizuar para ndeshjeve të rëndësishme.

DEKLARATA

Duke marrë shkas nga lajmet e publikuara së fundmi në mediat sportive në lidhje me të ardhmen e lojtarëve tanë dhe trajnerit të ekipit Klevis Dalipi, klubi nëpërmjet kësaj deklarate për shtyp dëshiron të distancohet nga pavërtetësia e tyre, duke specifikuar se trajneri Dalipi do të vazhdojë të jetë në drejtimin e skuadrës.

Ai gëzon mbështetjen e plotë të drejtuesve të klubit, sikurse dhe lojtarët, kontratat e të cilëve janë vënë në diskutim në shkrimet në fjalë, janë tërësisht të përqendruar për të arritur objektivat e klubit dhe deri tani kanë shprehur dëshirën të vazhdojnë të përfaqësojnë ngjyrat e Partizanit. Për më tepër, vendimin për trajnerin drejtuesit e klubit e kanë konfirmuar në vazhdimësi dhe e ka rikonfirmuar pak ditë më parë edhe vetë presidenti Demi, përgjatë një prononcimi dhënë për emisionin “Zona Gol”.

Kreu i 15-të herë kampioneve të vendit i ka dhënë mbështetje të plotë trajnerit Dalipi, madje duke i konsideruar “barcaleta” dhe aspak të vërteta informacionet që mediat e shkruara servirin për opinionin sportiv. Insinuatat e pavërteta për probleme brenda klubit, si dhe aludimet për emra trajnerësh, pikërisht në prag të ballafaqimeve të rëndësishme në këtë fazë kyçe të kampionatit, konsiderohen tendencioze me qëllim për të destabilizuar harmoninë në skuadër dhe punën e trajnerit Dalipi. I tërheqim vëmendje mediave të jenë më korrekte në informacionet që përcjellin dhe ju rikujtojmë se në çdo rast mund të kontaktojnë me zyrën për shtyp të klubit e cila mbetet gjithmonë në shërbim të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *