Ngjitja në “Everestin” kuqezi, Sadiku nuk di më të ndalet!

0

Në “alfabetin” e golave të kombëtares, tashmë ka mbërritur në tre “germat” e fundit. Dopieta me Turqinë e çon 11 gola, sa Salihi dhe Rraklli. Kalon Taren e Kushtën dhe shënjestron tre ish-kampionë

Anton Cicani

I kishte vendosur në shënjestër dhe është në rrugën e duhur… “Snajperi” Sadiku nuk fal, sidomos kur bëhet fjalë për të kërkuar rrjetën, që është një rrugë të cilën ai e gjen me lehtësi të madhe, edhe nëse do t’i mbyllje sytë… Objektivi janë dy të mëdhenj të kombëtares, teksa dy të tjerë janë kaluar.

“Respekt për Bushin dhe Bogdanin që kanë shënuar shumë gola. Unë do të jap maksimumin, nëse do t’i arrij apo jo si golashënues kjo do të shihet në të ardhmen”. Fjalia numër “1”. Sepse, Skela (13 gola) nuk llogaritet më… Në pamje të parë, kjo deklaratë mund të duket si një fjali e thënë nga një mburravec dhe që mendon se ka prekur qiellin, por nuk është kështu… Sidomos, kur ato i thotë një sulmues që në këto dy vitet e fundit na ka bërë të gëzojmë pa masë duke na kualifikuar në Europianin dhe shënuar golin e vetëm në fitoren historike në një kompeticion ndërkombëtar (1-0 ndaj Rumanisë).

Histori sakrifice – Të quhesh Armando Sadiku, sigurisht, do të thotë të kesh bindje në vetvete, në potencialin që zotëron, t’i besosh verbërisht karakteristikave të tua, por sidomos të mos dorëzohesh kurrë, edhe kur të tjerët të thonë se nuk duhet të guxosh kaq shumë… Sepse, nëse quhesh “Armando” (për nder të Diego Armando Maradonës, pasi i ati ishte tifoz i çmendur i Argjentinës dhe i “El Pibe d’Oro”-s) asgjë nuk është e pamundur. Dhe, nëse sulmi i Shqipërisë sot ka një garanci, ai është pikërisht futbollisti që sot luan në Varshavë, me Legian, por që ka pasur një fëmijëri të vështirë, mes baltës dhe sakrificave, mes dëshirës dhe shpresës, por edhe zhgënjimit dhe mërzisë.

Ishte vetëm 16-vjeç Armando kur Igli Tare i jepte lamtumirën kombëtares së Shqipërisë, pasi kishte shërbyer për 10 vite, duke luajtur 68 ndeshje dhe shënuar 10 gola. E ndërsa Tare zhvishte fanellën kuqezi, në mendjen e të adoleshentit Sadiku, mes ndonjë puçër moshe dhe flokëve me xhel, ishte vetëm topi dhe fusha. Ashtu si të gjithë bashkëmoshatarët e tij, Armando stërvitej në kushte jo të mira, por pikërisht aty nisi të ngjiste shkallët, pak nga pak, aq sa nga Turbina e Cërrikut (10 gola në 40 ndeshje), do të kalonte në Ersekë, te Gramozi i milionave dhe presidentit Rezart Taçi, i cili do të mundësonte edhe një miqësore me Real Madridin…

Pas 8 golash në 28 ndeshje, sulmuesi kthehet pranë familjes dhe shtëpisë, në Elbasan, ku u mundua të ndiqte edhe studimet. Shpërthimet e adoleshencës, por edhe gjendja emocionale e lëkundur, “e çuan” të gabonte, duke kryer një gjest që do ta dënonte me 2 vjet, pasi pështyu kundërshtarin. Një “grusht” i rëndë për këdo, por jo për atë. Armando kishte gabuar, por nuk mund të  dorëzohej, jo që në moshë të re…

Kështu, shpëtimi ishte Zvicra dhe Lokarno, aty ku do të niste një kapitull i ri i karrierës së tij, mes golave, paraqitjeve të mira, por edhe rritjes profesionale. Plot 6 vjet në Zvicër, duke ndryshuar katër herë fanella skuadrash (Lokarno, Lugano, Zyrih, Vaduz), dhe koleksionuar në total 83 gola në 169 ndeshje. Praktikisht, dy gola për ndeshje. Ishte e vështirë, por shkëputja nga Zvicra erdhi pikërisht verën e shkuar, duke firmosur për Legian e Varshavës në Poloni dhe duke e nisur me gol, por edhe me shumë probleme ambientimi, kritikash por edhe presioni…

Shqiperi-Katar, ndeshja e dyte kuqezi per Sadikun (viti 2012)

Ngjitja kuqezi – “Gjithmonë kur vesh këtë fanellë më bëhet mishi me kokrra. Kur këndohet himni, kur futem në fushë dhe kur vesh këtë fanellë për mua nuk ka lodhje. Mundohem të bëj disa gjëra që ndoshta me klubin nuk i bëj, për të dhënë 100 për qind për vendin tim. Do të mundohem në çdo ndeshje të shënoj”.

Fjalia numër “2”. Të duket sikur e gjitha kjo është një deklaratë që çdo futbollist i cili luan në kombëtare mund ta bëjë, por feelingu që Sadiku ka me fanellën kuqezi është diçka vërtet e veçantë. Mjafton ta shohësh në fushë, teksa vrapon duke ndjekur një top në “infinit” për të kuptuar se sa i dashuruar është me kombëtaren dhe se çfarë do të thotë Shqipëria për të.

Por, të kthehemi te Igli Tare dhe lidhja me Sadikun… Pikërisht kur Igli deklaronte fundin e historisë së dashurisë kuqezi, niste historia e Armandos në futboll. Ishte vetëm 21-vjeç kur Xhani de Biazi do ta “nxirrte” nga Inkubatori U-21 për t’i dhënë shans me kombëtaren e madhe, në miqësoren përballë Gjeorgjisë, jashtë fushe. Por, për të festuar u desh të priste deri në sfidën e parë të Shqipërisë, në eliminatoret e Botërorit 2014, në Brazil. Shqipëri-Qipro 3-1. Goli i parë kuqezi dhe festa e bomberit. Kanë kaluar 5 vjet nga ajo ndeshje dhe tani numri i golave kuqezi ka shkuar në 11…

Dygolësh në miqësoren ndaj Turqisë, fitore dhe “parakalim” i dy emrave të mëdhenj, Sokol Kushta dhe Igli Tare (të mbetur në 10 gola). Sadiku i ka shënuar 11 golat e tij në 32 ndeshje, Kushta i ka shënuar 10 golat e tij në 31 ndeshje dhe Tare në 68 ndeshje. E pasi ka barazuar Altin Rrakllin dhe Hamdi Salihin (11 gola), përpara tij, bomberi ka tashmë Ervin Skelën (13 gola në 75 ndeshje), Alban Bushin (14 në 67 ndeshje) dhe Erion Bogdani (18 në 74 ndeshje). Një objektiv i qartë, për një futbollist që ka përpara të paktën edhe 6 vite të tjera në kombëtare. Dhe, nëse quhesh Armando, asgjë nuk është e pamundur…

8 golashënuesit më të mirë të historisë kuqezi

Lojtari                   Nd.         Gl.

E.Bogdani            74           18

A.Bushi                 67           14

E.Skela                  75           13

A.Sadiku              32           11

A.Rraklli                63           11

H.Salihi                 50           11

S.Kushta              31           10

I.Tare                    68           10

11 golat e Sadikut me kombëtaren

Kualifikueset e Botërorit 2018

Izrael-Shqipëri                   0-3          2 gola

Shqipëri-Maqedoni         1-0          1 gol

Kualifikueset e Europianit 2016

Armeni-Shqipëri               0-3          1 gol

Europianii 2016

Rumani-Shqipëri              0-1          1 gol

Kualifikueset e Botërorit 2014

Shqipëri-Qipro                  3-1          1 gol

Miqësoret

Turqi-Shqipëri                   2-3          2 gola

Shqipëri-Ukrainë              1-3          1 gol

Luksemburg-Shqipëri     0-2          1 gol

Shqipëri-Katar                   3-1          1 gol

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image