Nga Arsenali te rrënimi, Ebué: Kam menduar vetëvrasjen

0

Emanuel Ebué, një herë e një kohë një yll, tani një futbollist i rrënuar në çdo drejtim. Histori që duket si deja vu, sepse shumë futbollistë e kanë kaluar këtë makth. Mbrojtësi nga Bregu i Fildishtë ka luajtur mbi 200 ndeshje me Arsenalin, ishte titullar në finalen e Champions league, që Arsenali humbi ndaj Barcelonës së Ronaldinjos, ka luajtur në Kupën e Botës 2006 e 2010, përveçse humbi finalen e Kupës së Afrikës 2012.

Tani Ebué rrëfen makthin e tij për Sunday Mirror: “Jam pa kokërr leku, kam menduar edhe vetëvrasjen”.

Është vetëm 34 vjeç dhe deri para dy vitesh luante titullar te Gallatasaraj në Turqi, ku kishte shkuar në vitin 2011, duke firmosur një kontratë 4-vjeçare, me 2,5 milionë euro për sezonet e para dhe 2,2 më vonë. Si mund të falimentojë kështu një futbollist?

Duke lexuar intervistën e tij, bëhet fjalë për një divorc, një betejë e egër ligjore humbur ndaj bashkëshortes Aurelie. Gjyqi i ka kushtuar miliona dhe mbi të gjitha humbjen e tre fëmijëve, që nuk i takon prej një viti e gjysmë. Tani ish-mbrojtësi i famshëm fle shpesh në shtëpinë e një miku, përtokë, ndërsa udhëton vetëm me autobus, sepse nuk ka makinë, si dhe nuk ka as lavatriçe: “I laj vetë xhinset e mia, i laj vetë gjithë rrobat e mia. Më janë bërë duart si punëtor fabrike”.

Nuk mbaron me kaq, sepse Ebué detyrohet të fshihet nga zyrtarët e gjykatave dhe nga policia, sepse një gjykatës ka urdhëruar që shtëpia e tij në Londër t’i kalojë bashkëshortes: “Shpesh i fik dritat, që të mos e kuptojnë që jam brenda. Kam frikë. Vetëm Zoti mund të më ndihmojë. Do pranoja çdo lloj ndihme, por do isha shumë i lumtur nëse do të më ndihmonte Arsenali. Ndoshta mund të ndihmoj lojtarët e rinj në moshë. Kur shoh që ish-shokët e mi janë ende në botën e futbollit, jam i lumtur për ta, por më vjen turp për gjendjen time. Duhej të isha edhe unë me ta”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image