Ndryshime te Lushnja, stadium, kontrata dhe sekretar i ri

Lajme të mira për ekipin e ri dhe infrastrukturën. Detyrën e sekretarit e merr Irakli Zaka, pas dorëheqjes së Stambolliut

Arjan Likja

Ka nisur puna për rikonstruksionin e stadiumit të Lushnjës, siç pritej të ndodhte. Firma që ka fituar tenderin ka nisur punën për plotësimin e kritereve që duhen për ndeshjet në Superiore, në mënyrë që FSHF-ja ta licencojë edhe “Roza Haxhiun”. Puna filloi me nivelimin e fushave prapa portave. Tapeti i vjetër, që do të hiqet, nuk do të vihet në njërin nga anekset e stadiumit, por do të shtrohet në ambientet e fushës ndërmjetëse pas portave. Pra, rikonstruksioni nuk parashikon punën në anekse. Ka shpjeguar gjithçka për procesin e punimeve nënkryetari i bashkisë,

Gentian Nushi, i cili ka folur gjithashtu edhe për çështjen e kontratave të futbollistëve: “Jemi brenda të gjitha afateve kohore për kryerjen e punimeve në stadiumin “Roza Haxhiu”. Sot filluam punimet në fushën e stadiumit, për ndërrimin e tapetit. Filluam me fushën, pasi vendosja e tapetit kërkon kohë dhe nuk mund ta ndryshojmë dot. Njëkohësisht, brenda kësaj jave do të nisë puna për rikonstruksionin e ambienteve të brendshme dhe të tribunës, ku përfshihet rregullimi i dhomave të zhveshjes, tualetet, dhoma e gjyqtarëve, shkallët e stadiumit dhe rrethimi i jashtëm. Njëkohësisht, sot (dje) do të fillojmë firmosjen e kontratave me futbollistët, të cilët do të jenë pjesë e Lushnjës sezonin e ri. Kjo procedurë do të vazhdojë gradualisht gjatë ditëve të kësaj jave, pasi kërkon pak kohë. Fllimi i javës tjetër do ta gjejë gati ekipin tonë”, – tha dje për “Sport Ekspres” Gentian Nushi, nënkryetari i bashkisë, përgjegjës i sektorit të sporteve në këtë institucion.

STAMBOLLIU – Para disa ditësh ka dhënë dorëheqjen nga posti i sekretarit të klubit Olsi Stambolliu, i cili sqaron: “Për arsye personale kam dhënë dorëheqjen. Në 5 vjet si drejtues i klubit kam përjetuar momente të ndryshme, problematika, ankth dhe  gëzim, që ka kulmuar me ngjitjen e Lushnjës dy herë në Superiore. I uroj suksese në detyrën e re pasardhësit Irakli Zaka. Gjithashtu, ju uroj suksesee trajnerëve dhe futbollistëve në elitë. I falënderoj për frymën bashkëpunuese”.

IRAKLI ZAKA – Irakli Zaka vjen në postin e sekretarit të klubit verdhjeshil, duke lënë detyrën e mësuesit të edukimit fizik. Pas prezantimit dje pasdite, Zaka është shprehur kështu për “Sport Ekspres”: “Futbolli është sporti im i preferuar, madje një ëndërr e dikurshme e lënë përgjysmë. Emërimin si sekretar i klubit të Lushnjës e kam pritur me dëshirë dhe optimizim. Përfitoj nga rasti të falënderoj kryebashkiakun Tushe, i cili pranoi emërimin tim. E konsideroj si një post me mjaft përgjegjësi, që shtohen pas ngjitjes së Lushnjës në elitë. Do përpiqem me mish e me shpirt ta kryej me përkushtim këtë detyrë brenda kornizave ligjore”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *