“Mourinho Out”, Lampard çon “mësuesin” në shtëpi

0

Nëse para ndeshjes së Kupës së Ligës kundër Derbi Kauntit u fol pa fund për një sherr mes Murinjos dhe Pol Pogbasë, me këtë të fundit që tashmë nuk do të jetë më kapiten (për sa kohë ta drejtojë Zhozeja), mënyra më e mirë (apo më e keqe?) për të bërë të harrohet kjo histori do ishte një eliminim i bujshëm nga kupa, nga një rival që luan një kategori më poshtë.

Derbi Kaunti drejtohet nga Frenk Lampard, ka disa talente, por vetëm kaq, nuk është Çelsi apo Siti, ndaj një Junajtid me një formacion thuajse të plotë, ku binin në sy emra si Lukaku, Lingard, Marsial, Mata, Matiç e të tjerë, duhej të fitonte bindshëm në Old Trafford.

Në fakt përfundoi me kualifikimin e bujshëm të Derbit, që meritonte të fitonte që në kohën e rregullt (2-2 pas 95 minutave). Në fund kryesonte Derbi, me përmbysje, ndaj stadiumi filloi të ziente që kur Marriot shënoi golin e dytë të miqve, 5 minuta para fundit: “Do pushohesh nga puna nesër në mëngjes”. Për Murinjon, nëse nuk e kuptuat, pikërisht ai që është idhulli i paprekshëm i tifozerisë, por në fakt thirrjet vinin nga tifozët e Derbit.

Pogba shihte nga tribuna dhe goli i parë ndoshta e kënaqi, sepse vetë kërkoi “sulm, sulm, sulm”.Gjithsesi, fillimi i mbarë ishte i gënjeshtërt dhe në pjesën e dytë në fushë ishte vetëm Derbi, që barazoi me Uilson në minutën e 59-të dhe fitoi me golin e Marriot, pasi Junajtid kishte mbetur me 10 lojtarë për karton të kuq të portierit Romero në minutën e 67-të.

Megjithatë, në minutën e 95-të një kros nga Dalot gjeti në zonë Maruan Felainin, i cili nuk gaboi, duke evituar përkohësisht katastrofën.

Sipas rregullores, në Kupën e Ligës kalohet direkt te penalltitë, një torturë më pak për Junajtid. Maunt e Lukaku, 1-1, Jozefzon e Eshli Jang, 2-2, Uilson e Felaini 3-3, Marriot e Fred 4-4, Xhonson e Marsial 5-5, Brajson e Dalot 6-6, Forsith e Matiç 7-7, Kiog shënoi penalltinë e tetë për Derbin dhe Fil Xhons e humbi!

Mançester Junajtid jashtë Kupës së Ligës, mallkimi vazhdon, “Djajtë e Kuq” i kanë humbur 5 ndeshjet e fundit që kanë shkuar te penalltitë. Zhoze Murinjo merr një goditje të rëndë dhe presioni mbi të po rritet dita-ditës, aq sa largimi nuk është më utopi.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.