Modeli Skënderbeu dhe risia Luftëtari

3

Kristal Abazaj tek Anderlehti është një lajm i madh për gjithë futbollin shqiptar, pasi ka mesazhe të forta për gjithë klubet në Shqipëri.

Së pari: Superiorja prodhon! Sado ta shajmë, sapo të themi që ka trukime, arbitra skandalozë, lëshime e ndere, problem financiare e fshehje bilancesh, në fund fare mbetet një e vërtetë e madhe: talente ka, punë po bëhet dhe nëse klubet punojnë si duhet, Abazaj nuk do të jetë rast i izoluar. Bëhet fjalë për thuajse 1 milion euro që do të futen në Shqipëri nga talenti i Luftëtarit, i cili do të pasurojë jo vetëm klubin gjirokastrit, por edhe Skënderbeun.

Natyrisht, Skënderbeu: klubi korçar është në mes të furtunës me UEFA-n, por ndërkohë vitet e fundit ka qenë një model suksesi se si menaxhohet një klub. President, por edhe bashkëpunëtorë, edhe menaxherë të fuqishëm që i qëndrojnë pranë, sepse reklama është shpirti i biznesit dhe nëse Abazaj shkon tek Anderlehti, meritë të madhe kanë Skënderbeu, Qormemeti e Fakiç. Në janar Takaj pagoi qindra e mijëra euro, duke parë larg, shumë larg, sepse Abazaj ishte një “Kristal” që duhej trajtuar me shumë kujdes dhe duhej vlerësuar, për ta shitur më shtrenjtë nga sa u ble. Asnjë minutë në Korçë, bëhet fjalë për një futbollist gati për skena të mëdha dhe Belgjika është një e tillë. Nëse Abazaj vijon të përmirësohet, do të shkojë larg dhe duhet të thotë: “Faleminderit Luftëtar” por “faleminderit edhe Skënderbe”.

Nëse Skënderbeu është tashmë një makinë parash dhe një makineri që prodhon lojtarë për tregun e huaj (nga Olajinka deri tek Abzaj, lista është e gjatë), Luftëtari është një risi absolute. Ndryshe nga shumë klube në Shqipëri, në Gjirokastër u kanë dhënë besim të rinjve që prej ngjitjes në Superiore. Abazaj e Bregu janë për vitrinë, por nuk janë vetëm ata. Klubi sa vjen e forcohet ekonomikisht dhe mbi të gjitha po kupton që një ekip i fortë u jep shansin të shpërthejnë edhe të rinjve të talentuar, që kanë nevojë për besim dhe minuta. Vetëm Laçi e imiton në Superiore dhe jo rastësisht Myrto Uzuni mund të shkojë në Turqi, ose pse jo, te Skënderbeu, sezonin e ardhshëm.

Po klubet e tjera? Kukësi ka bërë bingo me Sindrit Gurin dhe gjithashtu po vlerëson disa të rinj, që gjithsesi janë ende shumë larg të qenit pika kyçe te klubi verilindor, por sërish politikat e klubit kampion në fuqi duken të gabuara. Klubi nuk ka organizimin dhe infrastrukturën për të punuar me të rinjtë, ndërsa operon shumë lehtë me tregun e huaj, duke provuar edhe dhjetëra afrikanë, por nuk punon në tregun vendas, aq sa lëshon falas edhe ndonjë talent si Jonuzi i Laçit, për shembull. Me pak më shumë besim, Guri do të pasohej nga shumë të tjerë. Diskutim i njëjtë në Vlorë, ku vetëm Sidibe është lojtar i ri që mund të vlejë për transferim me shifra të mëdha jashtë shtetit, ndërsa për vlonjatë apo të rinj vendas nuk bëhet fjalë. Partizani më në fund ka ndryshuar strategji: Mala e Bardhi, për shembull, janë lojtarë me të ardhme të rëndësishme, që mund të vlejnë shumë në aspektin financiar. Deri vjet Partizani as që e mendonte të luante me disa të rinj në formacion, më mirë italianë e ç’të dilte përpara. Ekuban? Rast i izoluar, nuk kishte lidhje me Partizanin dhe klubi i kuq nuk përfitoi asgjë nga shitja e tij. Tirana është orientuar tek të rinjtë pas rënies nga Superiorja, por kjo është një histori tjetër, ishte një zgjedhje e detyruar, pas dështimit të projektit me afrime nga e gjithë bota.

3 KOMENTET

  1. Ne gazete lexuam se Skenderbeu funksionon si nje makine kriminale e mafioze . Ke te besojme.Kete apo kete qe thoni ju. Biles ka zera qe thone se ata kane trukuar edhe ndeshje qe luanin ne fazat pergatitore ne vende te ndryshme te Evropes. Nuk mund te vije ngritja e futbollit vetem nga nje ekip.Nga nje ekip qe perflitet shume…. Te gjithe ne Shqiperin e dine se si erdhi dhe ne menyre brutale vodhi qe vitin e pare titullin kampion ( nuk kemi c bejme thoshte Geri Cipi ata kane vendosur qe sivjet, me 2011 , te nxjerrin kampion Korcen), si vazhdoi te mbaje nen thunder nje kampionat te tere te vjedh, trukoje, te diktoje mbi ekipin e arbitrave, te beje biznese ne mes te dites me asetet e FSHF. Keto jane fakte qe i di cdo njeri ne Shqiperi.Nuk duhet te behet reklame per te shtrembren, per vjedhjen, per abuzimin.Duhet te flitet per gare te ndershme.

  2. Keta e dine sikur ja hodhen Europes por e kane gabim.Ne keto trukime kane gisht me dhjetra lojtare te Korces, trajnere, mjeke, menaxhere, e verteta dihet dhe do dale nje dite.Te gjithe i vret ndergjegja per trukimet dhe rrine si gjynahqare shikoni Bledi Shkembin, Shpetim Duron si sillen si te penduar .Nuk jua mban te flasin por syte i tradhetojne.Bile Duro ne nje interviste e tha me nenkuptyim me ate qe po i ndodh ne Vlore. Sepse mban mend kur ishte tek Korca me nje ekip ordiner fitoi titullin ndersa ne Vlore me nje super e kip nuk ben dot larte… I dine te gjitha si funksionojne nen rrogoz gjerat Te gjithe jane mekatare.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here