Mënyrat për të mos dështuar dhe 4 frikërat më të mëdha të Shqipërisë ndaj Francës

Shqipëria do të përballet ndaj Francës në mbrëmjen e sotme, sa i përket takimit të vlefshëm për kualifikueset e Europianit. Një transfertë më shumë se e vështirë do të jetë ajo me kampionët e botës, që kërkojnë fitoren për të pasur situatën sa më të qetë në grup. Ndërkohë “Sport Ekspres” liston edhe 4 frikërat më të mëdha sa i përket asaj që mund të paraqitet në fushë:

1- Mos të pësojmë të parët, ndeshja mbyllet përpara kohe.

Nëse Shqipëria do të gjejë një mënyrë për të marrë pikë në mbrëmjen e sotme, ajo nuk konsiston me pësimin e golit ndërsa rezultati është ende i bardhë. Pra e thënë më thjesht, kuqezinjtë nuk duhet të pësojnë të parët. Shumë të rralla janë rastet kur kemi arritur të përmbysim rezultate me Kombëtare më modeste, ndërsa në këto përballje të mëdha si ndaj Francës, goli i parë i pësuar është njëfarë kapitullimi i parakohshëm. Fuqia për të reaguar, menaxhimi i qetë i lojës së kundërshtarëve të mëdhenj si dhe nervozizmi nga ana jonë, bën që të mos kemi rikthimin e baraspeshës, por që rezultati të thellohet edhe më tepër.

2- Minutat ekstreme mund të vendosin fatin e ndeshjes.

Minutat ekstreme mund të vendosin fatin e ndeshjes, ndërsa për ekipe më të vogla kthehen edhe si një “sëmundje”. E gjitha kjo mbetet edhe si psikologjike, ndërsa shpeshherë na ka qëlluar që të dorëzohemi që në minutat e para, apo të pësojmë atëherë kur nuk pritet dhe kemi qenë gati për të festuar triumfin. Përballja ndaj Francës duhet të ketë një vëmendje maksimale pikërisht në këtë fazë të lojës, për të qëndruar sa më të fortë dhe për të treguar rezistencë sidomos në minutat ekstreme.

3- Balaj nuk është si Sadiku, por si do të zgjidhet ndeshja?

Për të marrë një pikë në Francë, duhet të mendohet me patjetër gjetja e një goli në këtë transfertë. Sado mirë e përgatitur dhe e organizuar të jetë mbrojtja, duke parë kualitetet e kundërshtarit, një realizim do të pësohet në çfarëdo mënyre. Nga ana tjetër Bekim Balaj është zgjedhja e vetme e detyruar për Rejën në sulm. Deri tani sulmuesi shkodran nuk ka treguar se mund të bëj diferencën i vetëm në lojë, për të zgjidhur situata të caktuara ashtu si edhe Armando Sadiku. Pra kërkohet shumë shërbim në zonë dhe topa të harkuara për Balajn, që ndaj Francës do të jenë të pakëta. Për më tepër që edhe gjakftohtësia para portës duhet të jetë në maksimum, nëse kërkojmë të dalim kokëlartë nga kjo transfertë.

4-“Muskujt” në mesfushë, ndeshja fitohet pikërisht aty.

Muskujt në mesfushë dhe mënyra sesi kjo e fundit do të përballoj kundërshtarin, janë padiskutim gjithë çelësi i suksesit. Duke parë kualitetet e mëdha të Francës, pavarësisht mungesave si Pogba apo Kante, përgjegjësi të madhe do të kenë mesfushorët e Shqipërisë. Ashtu siç edhe Mavraj do të shprehej në kohën e Panuçit, situata bëhet më kritike kur sulmuesit kundërshtar vijnë lirisht para mbrojtjes sonë, pa hasur asnjë pengesë të vetme. Sigurisht që një mbizotërim më i madh do të jetë nga ana e Francës, por një reagim duhet të ketë edhe nga kuqezinjtë tanë. Nëse arrijmë sadopak që të ndalim hovin e kundërshtarit që në mesfushë, atëherë objektivi ynë do të bëhet më i lehtë për mbrojtjen dhe gjithë skuadrën. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *