Mema: Leksionin e dha Atletiko, ju tregoj si Ngo u bë lider

0

Tirana, pas barazimit në derbi, mposhti me rezultatin 3-0 Laçin në Kupë dhe kështu bardheblutë vijojnë me ecurinë pozitive. Trajneri Ardian Mema iu gëzua triumfit, por më së shumti lojës së skuadrës së tij.Rezultatet pozitive dihen. Më pëlqen më shumë mënyra e lojës, që ka ndryshuar te Tirana. Gjithsesi duhet ta perfeksionojmë dhe t’i bëjmë gjërat akoma më mirë, që të ecim më lart”, shprehet tekniku i kryeqytetasve, që më pas flet edhe për çështje të tjera.

KUALIFIKIMI – Me rezultatin 3-0 Tirana është me një këmbë në gjysmëfinale, por Mema mban me këmbë në tokë skuadrën e tij: “Nuk e them dot kurrë këtë, që ta quaj veten të kualifikuar. Kam parasysh ndeshjen që u luajt mes Juventusit dhe Atletikos së Madridit. Çdo gjë ndodh në futboll, duhet t’i bëjmë hyzmetin. Nëse luan kështu ekipi, do ketë edhe rezultate pozitive. Nuk duhet të vetëkënaqemi me një fitore”.

FITORJA E LEHTË –Tirana mund të shënonte edhe më shumë gola dhe tekniku i 24 herë kampionëve të vendit kërkon më shumë seriozitet nga skuadra e tij: “Nuk e besoja një fitore kaq të lehtë. Gjatë lojës ne duhet të kishim shënuar edhe më tepër, pasi të them të drejtën Laçi u shthur. Duhet të sillemi si profesionistë, pra të shënojmë edhe katër gola. Një profesionist këtë ka, të shënon gola dhe mbaron ndeshjen i sigurt. Kjo pasi presupozohet se ke edhe ndeshjen e kthimit në Laç dhe presioni atje është më i madh. Me rezultat më të thellë do ishte më mirë”.

GOLAT E ANULUAR – Gjykimi ishte një hallkë e dobët, teksa të dyja skuadrat kanë pretendimet e tyre. Tiranës iu anuluan dy gola në fund të pjesës së parë, kurse Laçi pretendon për një penallti në fillim të ndeshjes, sikurse edhe për një pozicion ndalesë loje në fund të 45 minutave.

I pyetur në lidhje me golat e anuluar, Mema tha: “Ka qenë edhe një moment për Laçin, nuk dua të jem hipokrit. Vendimet e arbitrit janë të tij dhe nuk merremi dot me to. Pavarësisht kësaj, ekipi reagoi pjesën e dytë. Kemi marrë rezultat pozitiv dhe duhet ta menaxhojmë mirë situatën dhe rezultatin”.

EGOIZMI DHE NERVOZIMI – Ndodh shpesh që te Tirana lojtarët kërkojnë t’i zgjidhin gjërat vetë dhe mungon pasimi. Mema nuk dëshiron t’i rëndojë lojtarë me këtë, por e ka një mesazh: “Ka edhe momente pasigurie, që mund të lexohen sikurse ju. Mund të ketë qenë konfuz lojtari. Gjithsesi duhet të jemi kolektiv, sepse fiton ekipi dhe jo individi”.

Disa herë Mema u pa t’i fliste Imamit, madje në fund pas një gabimi për një moment mendoi edhe ta zëvendësonte. “Kam qenë nervoz, pasi nuk mund të luash keq pasi rezultati ka shkuar 3-0. Ekipi kur ka shënuar tre herë, shprehet më mirë në fushë. Duhet të dimë të administrojmë lojën dhe rezultatin. Nuk kemi pse bëjmë gabime që mund të na kushtojnë në ndeshjen e kthimit”, shtoi trajneri i Tiranës.

ZËVENDËSIMET – Doka ishte lojtari i vetëm i hedhur në fushë nga Mema. Ai thekson se nuk ka pse bën zëvendësime kur gjërat shkojnë mirë: “E kam thënë edhe në ekip, që lojtarët që luajnë dhe janë në formë nuk kam pse t’i ndërroj. Këto lojtarë mund të vazhdojnë të luajnë. Kemi bërë zëvendësime në ndeshjet e shkuara, ata që kemi menduar se nuk kanë qenë mirë. Kur sheh problematika bëhen lëvizje. Gjithsesi kemi krijuar një fizionomi loje dhe kjo na gëzon. Do vazhdojmë kështu. Nuk e ndërroj një lojtar që luan mirë”.

VENDI I KATËRT – Me këtë ecuri Tirana mund të shkojë edhe më lart, të paktën deri në vendin e katërt. Gjithsesi në kampin bardheblu nuk fluturojnë, të paktën jo trajneri: “Duhet të shikojmë ndeshjet hap pas hapi. E kam thënë këtë edhe kur kemi qenë në pozita jo të mira. Ndeshjet në vazhdimësi do e tregojnë se ku do të shkojë ky ekip”.

NGO – Sulmuesi anglez po spikat te Tirana dhe është kthyer në një lider. Në lidhje me këtë bën edhe një koment trajneri Mema: “Normalisht me mënyrën se si ka luajtur e ka bërë veten lider. Lideri, ose sulmuesi, matet me gola dhe asiste. Atij nuk i kanë munguar. Lider nuk bëhesh me fjalë apo me të thëna, bëhesh në sajë të punës. Në përgjithësi në ekipin tonë lideri është grupi, por edhe nëse lindin lider rrugës nuk ka asgjë të keqe”.

“Rinovimi me Ngo, keni një mesazh për drejtuesit? Është shpejt të flas për këtë. Politikat e klubi nuk i bëj unë. Unë si trajner jap verdiktin tim sa i takon përzgjedhjes së lojtarëve. Mua më mbaron vetë kontrata në fund të sezonit. Nëse do qëndroj, atëherë do të bisedoj sa i takon lojtarëve që do të qëndrojnë te Tirana. Besoj se Ngo është në preferencat e mia”, përfundoi Mema.

VLADIMIR PRENGA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.