Magani: E duam Kupën, nuk duhet të pësojmë ndaj Kamzës

0

Trajneri i Teutës e vlerëson maksimalisht kundërshtarin. Sot nuk ka të gatshëm mbrojtësin Hërkaç dhe mesfushorin Dediç. Lena e nis nga stoli


Fatjon Rupi

Kupa e Shqipërisë ka marrë rëndësi të veçantë për Teutën në këtë moment. Klubi durrsak e ka si objektiv fitimin e këtij trofeu para nisjes së sezonit, por tani, pas ecurisë me shumë ulje-ngritje në kampionat, Kupa e Shqipërisë merr vlerësimin maksimal, pasi është rruga më e lehtë që mund ta çojë Teutën në Kupat e Europës. “Djemtë e detit” kanë barazuar 1-1 në ndeshjen e parë në Kamzë dhe duken të favorizuar për kualifikimin, por në tri ndeshje që kanë luajtur për këtë sezon me këtë kundërshtar, asnjëherë nuk kanë arritur të fitojnë. Në ndeshjen e sotme në stadiumin “Niko Dovana”, Teutës i mjafton edhe barazimi pa gola për të kaluar më tej, por sigurisht që durrsakët nuk do t’i mbajnë shpresat te ky rezultat.
MAGANI – Trajneri i Teutës, Gugash Magani, thotë se skuadra e tij mund të jetë e favorizuar vetëm në letër nga rezultati i ndeshjes së parë. Ai është i sigurt se ndaj Kamzës do të jetë shumë e vështirë, ndaj dhe e ka përgatitur skuadrën për të pasur impenjimin maksimal në çdo moment: “Kupën e Shqipërisë e vlerësojmë maksimalisht, duke pasur parasysh si kanë shkuar punët për ne këtë sezon. E kemi pasur objektiv që në fillim të sezonit këtë trofe, por tani e kemi pse jo parësore, sepse ky kompeticion mund të na sigurojë pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Por të mos bëjmë llogari, pasi duhet të kalojmë së pari Kamzën dhe, për mendimin tim, do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Kundërshtari na ka mundur në fushën tonë në kampionat pak kohë më parë, duke treguar forcën e tij, kështu që ka marrë vlerësimin tonë maksimal. Goli në fushë kundërshtare? Duket sikur na favorizon, por nuk duhet të bazohemi tek ai rezultat, duhet të bëjmë gjithçka në fushë për të fituar. Jam i bindur se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe duhet përqendrim maksimal për kualifikimin. Apeli im është për kujdes, sepse në asnjë mënyrë nuk duhet të pësojmë gol në këtë ndeshje”, – ka theksuar trajneri Magani për “Sport Ekspres”.
GJENDJA – Teuta do të ketë disa mungesa në ndeshjen e sotme, dy nga të cilat janë të sigurta. Trajneri Magani sqaron se mbrojtësi Hërkaç nuk mund të aktivizohet për shkak dëmtimi, ndërsa Dediçi pritet të dënohet nga Komisionin i Disiplinës. “Kemi mungesa për ndeshjen me Kamzën, ku dy janë të sigurta. Hërkaç është i dëmtuar, ndërsa Dediç do të dënohet nga Disiplina. Për Lenën mendojmë se mund ta nisë nga stoli, pasi vjen nga një dëmtim. Megjithatë, nuk duhet të mendojmë për mungesat, por të japim më të mirën në fushë për të arritur kualifikimin. Teuta i ka mundësitë t’i shkojë deri në fund Kupës së Shqipërisë, por tani për tani mendojmë vetëm Kamzën, me të cilën, siç e thashë, do ta kemi shumë të vështirë”, – ka përfunduar trajneri Magani

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image