Lushnja gjen miqësoren e dytë, nesër ndaj Besës

0

Mesfushori Orges Gava ka besim se skuadra do të jetë më e kompletuar dhe më efikase në lojën e saj në vazhdim të kampionatit 

Arjan Likja

Pas testit me Tomorin, tekniku shkodran i Lushnjës, Hysen Dedja, ka nxituar të gjejë miqësoren e dytë të minifazës dimërore, që po zhvillohet në resortin “Tropikal” në Durrës. Kundërshtari i radhës për verdhejeshilët do të jetë Besa e Kategorisë së Parë, që ka pothuajse të njëjtin nivel me beratasit. Kjo miqësore është programuar të zhvillohet ditën e shtunë, në Durrës. Përveç harmonizimit të ekipit, këto miqësore i vlejnë më shumë trajnerit Dedja për të krijuar një bindje të plotë për futbollistët në provë, në mënyrë që të merret vendimi i duhur.

GAVA – Titullari i mesfushës lushnjare, Orges Gava, nuk nguron të shprehë optimizmin e tij për vazhdimin e kampionatit. Ai pret një Lushnjë kompetitive, ndaj së cilës asnjë kundërshtar nuk do ta ketë të lehtë: “Kemi lënë pas ditën e katërt stërvitore në Durrës dhe mendoj se gjithçka po shkon mirë. Po stërvitemi në kushte mjaft të mira dhe po zhvillojmë një fazë vërtet profesionale. Trajneri ka vendosur të zhvillojmë 2 seanca stërvitore në ditë, ndërkohë që kemi zhvilluar edhe miqësoren e parë, atë me Tomorin, ku fituam 2-0. Ekipit i janë bashkuar në stërvitje disa futbollistë, nga të cilët trajneri Dedja do të përzgjedhë më të mirët si përforcime për pjesën e mbetur të kampionatit. Mbrojtësi Memini mund të konsiderohet pjesë e jona dhe në logjikën time është një goditje cilësore në merkaton e Lushnjës. Kaq mund të them për momentin, pasi për afrimet dhe largimet në ekip vendos trajneri. Ajo që mund ta them me siguri për momentin është se mbas përfundimit të kësaj minifaze, Lushnja do të jetë më e fortë dhe më kompetitive. Asnjë kundërshtar nuk do ta ketë të lehtë me ne dhe për mbijetesën do të luftojmë deri në fund, duke luajtur shanset tonë”, – ka thënë dje për “Sport Ekspres” futbollisti elbasanas i Lushnjës, Gava.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.