Legia në krizë financiare, zgjidhje është… mbrojtësi shqiptar

Legia e Varshavës mbetet klubi më i madh polak, megjithatë kriza financiare vazhdon të sundojë. Eliminimi në turin e dytë të Champions League i shkaktoi mjaft dëme arkave të klubit, që tashmë reflektojnë në merkato.

Kampionët e Polonisë janë në kërkim të një mbrojtësi qendre dhesi alternativë vlerësohet kuqeziu Arlind Ajeti, që nuk është në planet e Torinos për sezonin e ardhshëm. Drejtuesit e klubit në Varshavë e kanë përfshirë mbrojtësin në listën e dëshirave, sepse ai mund të afrohet pa shpenzuar.

Kjo u konfirmua nga klubi i Legias, që për këtë pozicion ishte interesuar edhe për Milosh Kosanoviç të Standard Liezhit, madje nisën negociatat me homologët e këtij klubit, por marrëveshja nuk u realizua, për shkak të pretendimeve të larta financiare të belgëve.

Duke qenë se aktualisht te Legia e Varshavës mungojnë fondet për merkaton, Ajeti është një alternativë me “kosto të ulët”. Ai shihet si një lojtar që do të kompletonte repartin mbrojtës, ku konkurrenca nuk mungon, pasi në dispozicion të stafit teknik janë edhe katër futbollistë të tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *