Kukësi, ndaj Karabakut për të ruajtur traditën

Kukësi ka një mision mjaft të vështirë përpara, pasi do të kërkojë kualifikimin ndaj Karabakut nesër në mbrëmje, ndaj një kundërshtari mjaft të fortë. Pas barazimit pa gola në “Loro Boriçi”, normalisht që verilindorët kanë të drejtë që të besojnë se mund të arrijnë një tjetër kualifikim historik, nëse marrin një rezultat pozitiv.

Kukësi përfaqëson Shqipërinë në Champions dhe nesër i duhet një rezultat pozitiv, jo vetëm për arritur kualifikimin, por dhe për të ruajtur një traditë të veçantë. Kjo është hera e tretë që një skuadër shqiptare përballet me ekipe nga Azerbajxhani dhe e shkuara flet mirë për ekipet e Superiores.

Veç Kukësit edhe Skënderbeu e Laçi janë ballafaquar me ekipe nga Azerbajxhani dhe deri më tani bilanci është pozitiv, pasi asnjëherë skuadrat azere nuk kanë mundur që të regjistrojnë një fitore në 5 përballjet e deritanishme.

Në edicionin 2013-2014 ishte skuadra e Skënderbeut që arriti të kualifikohej pas barazimit në transfertë dhe fitores minimale në shtëpi në kohën shtesë ndaj Neftçi Baku. Në sezonin 2015-2016 ishte ekipi i Laçit që u eliminua nga Keshla me rezultatin e përgjithshëm 1-1, pasi azerët barazuan me gola në Shqipëri dhe një javë më vonë ruajtën barazimin pa gola në shtëpi.

Asnjë humbje për skuadrat shqiptare në pesë takim nga skuadrat azere deri më tani dhe ky duhet të jetë sa një ogur i mirë për kuksianët, por edhe një motiv për ta ruajtur këtë bilanc pozitiv. Kukësi do të ishte i kënaqur dhe me një barazim me gola në këtë sfidë, pasi do të avanconte më tej në sajë të golit në fushën kundërshtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *