Klop: Nuk e mbanim dot më Kutinjon

0

“Na vjen shumë keq që ndahemi nga një mik i mirë dhe një person i shkëlqyer, përveçse një futbollist klasi si Filipe Kutinjo”. Kështu e nis deklaratën e tij trajneri gjerman i Liverpulit, Jyrgen Klop, duke komentuar shitjen e Kutinjos te Barcelona për 160 milionë euro.

“Nuk është një sekret që Filipe e dëshironte këtë transferim që në korrik, kur Barcelona nisi të interesohej seriozisht. Ai këmbënguli që transferimi të kryhej dhe e dëshironte me çdo kusht kalimin te Barça. Gjithsesi, ne rezistuam dhe arritëm ta mbanim edhe për gjysmë sezoni, duke shpresuar se ai do të bindej që të qëndronte dhe të ishte pjesë e asaj që duam të bëjmë. Ne bëmë gjithçka për ta bindur të qëndronte, tifozët të jenë të bindur për këtë, por ai është 100% i sigurt se e ardhmja e tij dhe e familjes së tij i përket Barcelonës. Është ëndrra e tij dhe nuk e mbanim dot kundër dëshirës së vet”.

Kutinjo bëhet futbollisti i tretë më i shtrenjtë në histori, ndërsa Barcelona i ka riinvestuar tashmë 222 milionët që mori për Nejmarin, sepse 147 milionë euro ia dha Dortmundit në verë për Usmane Dembelenë.

Kutinjo, 25 vjeç, bëhet kështu pasardhësi i një fenomeni si Çavi Hernandez dhe natyrisht presioni mbi të do të jetë i madh, duke parë sa kushtoi. Blerja e tij rinon një mesfushë “të plakur”, ndërkohë që tashmë është e sigurt se Andre Gomesh, Arda Turan e Rafinja janë në shitje.

Kutinjo, 41 gola në 152 ndeshje në Premier Ligë, nuk do të luajë në Champions League për këtë sezon, pasi ka luajtur në grupe me Liverpulin.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.