Kimish bën “profesorin”: Te Bajerni nuk mund të vetëkënaqesh, sepse…

Joshua Kimish është i vetëdijshëm se viti i ardhshëm do të jetë i tiji. Kjo, sepse 22-vjeçari do të marrë rolin e ish-kapitenit Filip Lahm si mbrojtës i djathtë. Në një intervistë për revistën “Kicker”, lojtari i kombëtares gjermane, i cili këtë verë shkëlqeu në Kupën e Konfederatave në Rusi, ka theksuar se mezi po e pret nisjen e kampionatit dhe se preferon të luajë në një pozicion tjetër, sesa ta shohë veten në stol.

“Këtu është e rëndësishme që të mos vetëkënaqesh. Duhet të kesh vetëbesim, përndryshe do të jetë e vështirë që të të marrin seriozisht. Nëse të tjerët e dinë se mund të bëjnë gjithçka me ty, sigurisht që do ta kesh të vështirë. Unë më mirë luaj 35 ndeshje si mbrojtës krahu sesa 20 ndeshje si mesfushor difensiv. Në Rusi luajta me gjithë bindje dhe pasion”, – ka deklaruar Kimish.

Në sezonin e tij të parë në Mynih, ai luajti relativisht mjaftueshëm, sepse Pep Guardiola i dha besim duke e përdorur në disa pozicione, por vjet situata ndryshoi. Italiani Karlo Ançeloti u bazua kryesisht te veteranët dhe Kimish kaloi shumë ndeshje vetëm duke parë nga stoli. Kjo tani e tutje do të ndryshojë me rolin e ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *